Në Elbasan janë rikthyer periudhat e frikshme të vrasjeve e ekzekutimeve. Brenda 10 ditësh, qyteti është tronditur nga 3 vrasje, 2 prej të cilave në harkun e pak orëve.
Pas ekzekutimit të Emiljano Ramazanit me gjashtë plumba pistolete dhjetë ditë më parë në mes të ditës pranë banesës së tij, mbrëmjen e djeshme u vra me thikë 23-vjeçari Regis Runaj.
Ai u gjet në gjendje të rëndë pranë varrezave të qytetit dhe njihej si person i afërt me Ramazanin ndërsa ndërroi jetë rrugës për në spital.
Pak orë më pas, në qendër të Elbasanit, humbi jetën pas një përplasjeje Florian Lamçe. Sipas policisë, sherri mes tre personave kishte ndodhur teksa ata ishin në gjendje të dehur e kishin goditur njëri-tjetrin me shishe e sende të forta.
Dy të ndaluarit për vrasjen e Lamçes janë Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini dhe Ardiano Hakdari.
Lamçe ishte dënuar kohë më parë me burg për ‘pengim të zbardhjes së ngjarjes’ ndërsa ishte hetuar edhe për dy plagosje.
Ai është vëllai i Olti Lamçes, i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Almir Canit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shkurt të vitit 2012 ndërsa debati mes Lamçes e Canit kishte nisur për një punën të papaguar nga ana e këtij të fundit, pronar i diskos ‘Tekila’.
Njoftimi
“Në orët të para të mëngjesit, në lagjen ” Luigj Gurakuqi”, Elbasan , në gjendje të dehur janë konfliktuar duke u dëmtuar me njëri-tjetrin me shishe dhe sende të forta shtetasit A.H., 42 vjeç, S.S., 34 vjeç, dhe F.L., rreth 40 vjeç, banues në Elbasan. Shtetasi F.L., si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa dy shtetasit e tjerë të perfshirë në këtë konflikt kanë marrë plagë të lehta dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.”