Vendosni fjalën kyçe....

Fitimet tek koncesionet korruptive, qytetarët të lajnë duart


Blog Autor: Klodian Tomorri

Në kulmin e pandemisë Ministria e Shëndetësisë mbyll laboratorin publik në QSUT dhe pushon nga puna të gjithë laborantët e trajnuar për analizat e covidit.

Laboratori do t’i kalojë koncesionarit privat, kurse punonjësit e trajnuar do të pushohen nga puna.

Nuk besoj se ka qeveri më të guximshme në planet, që privatizon sigurinë kombëtare në kohë krize dhe aq më keq e vë atë në funksion të fitimeve private.

Gjithë bota bën të kundërtën. Në të gjitha vendet e zhvilluara ka ligje, të cilat në raste krizash i lejojnë shtetit të cënojë edhe pronën private në funksion të sigurisë publike.

Qeveria italiane ajo franceze dhe shumë vende të tjera shtetëzuan prodhimin e maskave menjëherë sapo shpërtheu kriza. Ishin biznese private, pa licenca ekskluzive dhe pa të drejta sovrane. Por prapë i shtetëzuan.

Qeveria shqiptare privatizon një shërbim historikisht publik dhe totalisht kritik për përballimin e pandemisë. Dhe jo vetëm që e privatizon, por e zhbën, pasi koncesionari nuk e ofron shërbimin e testimit të popullatës për Covid.

Koncesionet korruptive do vrasin njerëz në këtë vend. Nuk është çështja vetëm se do përvetësojnë shuma të medha parash publike, por do të shkaktojnë edhe viktima.

Ndodhi në Itali me urën e Genoas. Benettoni atje realizonte fitime marramendëse vit për vit dhe në fund babëzia vrau 43 njerëz.

Shqipëria nuk teston. Koncesionet nuk i ve në funksion të pandemisë për të rritur testimet. Tani çmonton dhe ato pak struktura publike që kanë mbetur dhe që mund të shërbenin për të zgjeruar kapacitetet e testimit.

Kjo është strategjia kundër pandemisë. Fitimet tek privati. Kurse qytetarët të lajnë duart.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *