Komuniteti Mysliman ka njoftuar mbi ceremoninë e faljes së Kurban Bajramit mëngjesin e nesërm.
Në një njoftim në Facebook, KMSH-ja thekson se falja e Bajramit do bëhet në xhamitë përkatëse ndërsa ceremonia kryesore do zhvillohet në Xhaminë e Kokonozit, e njohur ndryshe si Xhamia e Pazarit të Ri.
Falja do bëhet në orën 06 e 30 të mëngjesit ndërsa tregohen edhe masat që duhet të marrin besimtarët siç janë marrja e abdesit në shtëpi, mbajtja e maskave, pasja e shtrojave personale, mbajtja e distancës fizike etj.
Njoftimi
Njoftim mbi faljen e Kurban Bajramit
Duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, KMSH bën me dije se namazi i Kurban Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë.
Ceremonia qendore e Kurban Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri) Tiranë.
– 06:30 – Falja e Namazit
– 06:35 – Hytbeja e Kurban Bajramit, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu
Luten të gjithë besimtarët të respektojnë masat e mëposhtme të sigurisë;
- Marrja e abdesit të kryhet në shtëpi.
- Të mbahet maska nga çdo besimtar.
- Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale.
- Mbajtja e distancës fizike gjatë faljes.
- Ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve.
- Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami.
- Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.
- Të shfrytëzohen materialet dezinfektuese në hyrje të cdo xhamie.
Gjithashtu urdhërohen të gjitha myftinitë që të marrin masat e nevojshme të sigurisë për faljen e namazit të Kurban Bajramit nëpër xhami duke respektuar të njëjtin protokoll.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ju uron Gëzuar Kurban Bajramin të gjithë shqiptarëve!