Kryeministri Edi Rama i ka bërë një ftesë publike opozitës jashtëparlamentare që të jetë e pranishme nesër në Këshillin Politik, për të diskutuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor për zbatimin e ndryshimeve Kushtetuese që u miratuan sot.
Rama thotë se s’ka kohë për të humbur dhe puna duhet të fillojë që nesër. Ai paralajmëron se kush nuk vjen në tryezë do të mbetet jashtë vendimmarrjes.
KOMENTI I RAMËS
LBPD&CO duhet të ulen menjëherë me PS dhe opozitën parlamentare për të punuar për reflektimin në Ligjin Zgjedhor të risive kushtetuese! Ato s’janë më projekt, po pjesë e Ligjit Themeltar të Republikës sonë dhe janë të detyrueshme për të gjithë ne, pa dallim!
Prandaj në punë për:
1)Hapjen e listave dhe mekanizmin ligjor të votimit. Kushtetuta na thotë jo më pak se 2/3 duhet të hapen, po s’na pengon t’i hapim edhe 100%, por me argumenta e me dialog, jo me dokrra e shantazhe, të cilave t’u pijnë lëngun siç ua pinë mandateve të djegura dhe bojkotit zgjedhor!
2)Formulën e grupimit të partive para zgjedhjeve, sipas modeleve të vendeve të OSBE/ODHIR-it, duke diskutuar e përzgjedhur së bashku, jo me emaile tip fletërrufeje dhe me idenë e gabuar se po nuk deshi një palë në rrugë, palët e tjera në parlament duhet të rrinë duarlidhur!
Ne nuk ndalemi sepse nuk jemi zgjedhur për t’i shkuar mbrapa atyre që ikin në drejtim të paditur, po për të udhëhequr Shqipërinë e shqiptarët në rrugën e të ardhmes. Në tryezë na ul përgjegjësia ndaj vendit dhe popullit, arsyeja e kultura jonë demokratike, jo dënglat kërcënuese!
S’ka kohë për të humbur. Puna duhet të fillojë nesër. Kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes. Konsensusi 100% është i mirëseardhur, po asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese tnë këtë proces – vota e sotme duhet të mjaftojë për të mos e provuar prapë!