Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Zgjedhjet në universitete ishin të paracaktuara, në kutitë e votimit ishte edhe logoja e PS-së


Ish-deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka reaguar në lidhje me zgjedhjet për strukturat drejtuese në universitetet publike në vend.

Ajo i ka quajtur këto zgjedhje një farsë që zhbën autonominë e universiteteve dhe të paracaktuara.

Sipas Vokshit, fituesit ishin të përcaktuar, zgjedhjet u zhvilluan pa garë ku shumica e studentëve u përjashtuan me vendim qeverie.

Madje ajo përmendi se ndërhyrja shtetërore dallohej qartë ku në disa kuti votimi të përdorura ishte e stampuar logoja e Partisë Socialiste.

Postimi i plotë:

Zgjedhjet në universitete, farsa që zhbën autonominë e universiteteve

Njësoj si zgjedhjet politike të 30 Qershorit vjet, zgjedhjet në universitetet sot ishin të paracaktuara, pa garë, me shumicën e studentëve të përjashtuar nga zgjedhjet me vendim qeverie.

Fituesit ishin të paracaktuar.

U zhvillua e njëjta skemë si në zgjedhjet lokale, u bë i njëjti shantazh dhe presion ndaj studentëve e ndaj pedagogëve. U përdor e njëjta infrastrukturë partiake. Edhe kutitë e votimit ishin me logo të PS, gjë që ndalohet kategorikisht nga ligji I arsimit të lartë.

– Pa fushatë
– Pa garë
– Pa ide
– Pa programe
– Pa alternativa
– Me kanidatë të paracaktuar nga Edi Rama dhe Partia shtet

Në një process kriminal, të dhunuar në të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar e për t’u votuar, të shantazhuar për notë apo për të ardhmen e tyre, studentët u detyruan të qëndronin me orë të tëra në turma, përpara Fakultetit të Drejtësisë, pa maska a distancim social, në rrezik ekstrem për shëndetin dhe jetën e tyre.

Kandidatët për rektorë, dekanë, anëtarë të KIZ (ilegjitim), qëllimshëm caktuan datat e provimeve sot, për të rritur pjesëmarrjen e studentëve, duke rrezikuar shëndetin e tyre, me qëllimin e vetëm uzurpimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe pushtetin.

Aktet ligjore ndalojnë turma të tilla, por kur ligji shkelet në emër të Ramës, institucionet ligjzbatuese mbyllin sytë, sepse jeta e studentëve dhe e pedagogëve nuk ka asnjë rëndësi për Edi Ramën përpara qëllimit të tij për të uzurpuar edhe universitetet.

Partia Demokratike, nesër në drejtimin e vendit, do të ketë prioritet kryesor të parë të saj garantimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, që respektojnë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe autonominë e universiteteve.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *