Nga Jeta Dedja
Frika ruan vreshtin thotë populli, po njeriun a e ruan?
Njerëzit janë të pajisur me frikën për t’u mbrojtur nga rreziqet e mundshme dhe e shprehin atë varësisht kontekstit por edhe formimit të tyre.
Dikush mund të luftojë, dikush mund të vrapojë, dikush mund të mpihet, e dikush mund të qajë apo qeshë.
Frika mësohet përmes përvojave që kalojmë apo duke parë të tjerët kur e pësojnë. Njeriu e mëson frikën edhe përmes fjalës së shkruar në gazeta, libra apo duke dëgjuar në media.
Frika është e dobishme për gjendjen e sigurisë dhe përballimi i saj me sukses veçanërisht kur na shfaqet në forma të natyrshme na forcon sistemin imunitar të sjelljes, por ka raste të tjera që mund të na e dëmtojë.
“Kujdes, laj duart, mbaj distancë, vër një maskë se përndryshe infektohesh me COVID.
Rritet numri i viktimave si pasojë e Korona-virusit. Kaq e aq kanë vdekur sot.
Tashmë edhe fëmijët mund të infektohen dhe të kenë pasoja tragjike.
Një valë tjetër shpërthimi me Covid do pllakosë vendin.
Vaksinës i duhet kohë të testohet.
Asnjë ilaç nuk i bën derman Covidit prandaj hydroxychloroquina ndalohet të përdoret.
Mjekët që kurojnë çdo ditë pacientët me hydroxychloroquine nuk janë të besueshëm”.
Këto janë disa fjali të shkëputura nga informacionet që mediat kryesore shpërndajnë mbi COVID-19. Dikush mund të thotë se këto lajme shërbejnë për të ndërgjegjësuar popullatën “injorante” që është kundër përdorimit të maskave për rrezikun që i kanoset nga një virus vdekjeprurës.
Dikush mund të thotë se janë lajme frikësuese të orkestruara nga globalistët për të mbjellë frikë dhe terror tek njerëzit duke i ndarë në grupe armiqësore dhe miqësore ndaj politikave globaliste.
Në të dyja grupet vihet re frika për jetën, për të ardhmen ku truri “mendimtar” i njeriut i jep sinjalin trurit “emocional” të reagojë me frikë, me ankth, të alarmohet, të ç’orientohet, të mos mendojë dot për gjë tjetër veç për virusin. Këto reagime përcillen edhe tek të afërmit e kështu përhapet vala e frikës.
Kush më shumë e kush më pak, të gjithë kanë frikë, por jo të gjithë perceptojnë të njëjtin burim frike dhe jo të gjithë reagojnë njëlloj, pasi çdokush ka botëkuptimin, intelektin, historikun e tij të edukimit, kulturës e përvojave që ndikojnë në qëndrimin që zgjedh të mbajë.
Në 1989 profesor Bedri Dedja në librin “Drejt enigmave të psikikës së njeriut” theksonte rëndësinë e psikoprofilaksisë dhe kulturës psikike në shëndetin e njeriut.
Më vonë në 2011 të njëjtën ide e çoi më tej Dr. Mark Schauller, profesori i psikologjisë në Universitetin e British Columbia duke pagëzuar me emrin “Sistemi Imunitar Sjellor”, një grup përgjigjesh të pavetëdijshme psikologjike që shërbejnë si ushtarët e vijës së parë të mbrojtjes ndaj një rreziku shëndetësor që vjen përmes kontaktit fizik.
Për shembull, ne i largohemi zjarrit, parvazit në një lartësi, kafshëve të egërsuara. Janë mekanizmat tona mbrojtëse që na mbajnë larg dëmtimit.
Sot, gjatë frikësimit prej Covid-19 të bombarduar rregullisht mediatikisht me rëndësinë e distancimit social si masë parandaluese e infektimit me Covid, në mënyrë të pavetëdijshme ka njerëz sot që ndërrojnë rrugë apo largohen më shumë se dy metër larg kur pikasin njerëz që u afrohen.
Prej mëse gjashtë muajsh kjo lloj sjelljeje është përvetësuar nga shumë syresh dhe është automatizuar. Por nisur nga premisa që njeriu ka edhe një sistem imunitar sjellor, synohet që njerëzit në të gjithë botën t’u përgjigjen njëlloj situatave riskuese të Covid-19 sipas udhëzimeve prokrustiane që ekspertët e fushës rekomandojnë.
Mund të themi se disa njerëz kanë sistem imunitar sjellor delikat që i bën ata të reagojnë fuqishëm dhe të interpretojnë shumëçka përreth mjedisit të tyre si rreziqe potenciale për infektim. Këta mund të mos përballojnë me sukses ngjarje që emetojnë frikë të vazhdueshme, pasi konsumohen psikologjikisht me shpejtësi.
Mbyllen në shtëpi, nuk takojnë njeri, maskohen kokë e këmbë si punonjës centralesh bërthamore. Besojnë 100% çdo informacion me argumentin se e dha televizioni, apo se ai që foli ishte doktor me emër.
Ata priren t’u binden masave, udhëzimeve pikë për pikë dhe të angazhohen madje që edhe të tjerët të bëjnë si ata. Nëse nuk ndodh, do të acarohen e etiketojnë këdo si “injorantë të pashpirt” që nuk duan jetën dhe dëmtojnë njerëzimin.
Por këta “të pashpirtët dhe injorantët” mund të jenë pjesë e atij grupi njerëzish që pragun e perceptimit të rrezikut Covid e kanë më të lartë dhe nuk shkojnë kaq larg në profilaksi. Ky grupim është problem për këtë kategorinë e mësipërme që rri me maska e doreza edhe në det.
Se këtyre injektimi i dozës së frikës u ka shkuar aq thellë sa u ka tronditur gjykimin, forcuar paragjykimet, konformizmin dhe bindjen e verbër ndaj udhëzimeve. Pati një sherr prindërish në një park në Toronto për këtë çështje. Grupi i maskave dhe dorezave kundër atyre pa maska akuzonin këta të fundit si antihumanë që ishin rrezik për shoqërinë-raportonte Toronto Star.
E kush ishte me të drejtën në këtë rast? Të dy grupet kishin të drejtën e tyre bazuar në sistemin e tyre sjellor imunitar, perceptimet, intelektin dhe kulturën e vet. Në një periudhë kohore prej mëse 6 muajsh kur një virus ka patur kaq shumë politizim dhe shumëllojshëmri qëndrimesh shkencore, është vështirë të ndash të drejtën nga e gabuara, frikën reale nga ajo e kultivuar.
Nëse do pyesnit nga perspektiva anti-globaliste sesi po menaxhohet pandemia për “të ruajtur shëndetin” e popullatës kudo në botë?
Përgjigja është duke sulmuar në mënyrë të qëndrueshme e vazhdueshme sistemin imunitar sjellor përmes induktimit të frikës me propagandë agresive mediatike mbi situatën e Covid-19, instalimit të bindjes ndaj autoritetit të ekspertit dhe konformizmit.
Përshkrimi si rrezik i madh i kontakteve me njerëzit, me objektet, shifrat e larta të vdekshmërisë dobëson sistemin imunitar sjellor, pasi njeriu ngre “armët” kundrejt çdo agjenti mjedisor e frymor që i shfaqet përpara.
Një gjendje konstante alarmi psikologjik padyshim që çon drejt dobësimit dhe sipas studimeve të fundit, një masë e madhe njerëzish kur vjen puna tek kërcënimi i shëndetit, binden dhe shushaten para autoritetit të ekspertit. Sot ekspertë quhen mjekët e mediatizuar dhe organizatat e veshura me pushtet eksperti.
Sipas psikiatrit A.Troisi (2020), konformizmi dhe autoritarizmi janë efekte sociale të adaptimit psikologjik për të shmangur infektimin. Dakord, mirë bëjnë, zgjedhje e tyre, por nga ana tjetër këta konformistët me pushtetin, zhvillojnë qëndrime paragjykuese ndaj pjesës tjetër.
“Njerëzit konformohen dhe priren të forcojnë qëndrimet e tyre negative ndaj gjithë të tjerëve që nuk mendojnë e veprojnë si ata apo siç u thuhet të veprojnë, pohojnë Murray, Schaller, dhe Suedfeld (2013), të cilët bëjnë një lidhje direkte mes konformizmit, paragjykimeve dhe kërcënimeve nga viruset.
Studiuesit nuk duken të surprizuar kur theksojnë lidhjet konsistente mes perceptimeve të rrezikut nga infektimet dhe preferencës së njerëzve për autoritarizëm, si në nivelin individual ashtu edhe atë social.
Nuk ka problem që mund të cënohet liria e individit kur merren masa në situata infeksionesh thotë Koleva dhe Rip (2009), domethënë disa njerëzve mjafton që t’u ofrohet siguri dhe mbrojtje, pavarësisht se ato mund të jenë falso apo iluzive dhe t’u vijnë në pjatanca diktature të zbukuruara e servirura me stil modern.
Këtë takëm njerëzish mund ta ndeshim në media e rrjete sociale në trajtën e lajmëtarëve të vdekjeve covidiane, propagandues të thekur distancimesh sociale, reklamues maskash dhe tellallë udhëzimesh OBSH-je, duke marrë pozicione ekspertësh shëndeti apo influencuesish socialë.
Konformizmi i këtyre me normat e propaganduara, bindja ndaj autoritetit pa vënë trurin mendimtar në punë, por vetëm atë emocional janë pasojat e frikës ekstreme.
Frika është një reagim mbrojtës për njeriun, por kur ajo nxitet artificialisht nga të katër anët atëherë ajo kthehet në faktor shkatërrues për sistemin imunitar sjellor.
Them artificialisht duke patur parasysh bombardimin 24/24 orë me lajme me viruse nga çdo burim mediatik dhe duke bllokuar në faqe të botës materiale me përmbajtje kundërshtuese. Kam në mendje këtu konferencën e mjekëve që u bllokua nga Facebook, Google, Youtube etj me argumentin që nuk kishin bazë të vërtetën.
Në fakt pa dashur t’i hyj pjesës mjekësore, ata mjekë pohuan njëzëri disa fakte të provuara nga praktika e tyre e përditshme me pacientët. Ka një kurë parandaluese dhe kuruese për Covid-19 që për shkaqe interesash ekonomike a politike nuk mbështetet si zgjidhje.
Tjetra, njerëzit janë të frikësuar për vdekje dhe kjo gjendje emocionale, që ka ndikuar në shtim të rasteve të ankthit të përgjithësuar, stresit e depresionit po ndikon rrjedhimisht dhe shëndetin fizik e mendor të popullatës.
Dhe nuk është çudi që njerëzve mund t’u shfaqen simptoma sëmundjesh këto muaj distancimesh. Hawkley dhe Cacioppo (2010), kanë gjetur më herët se kur distancimi social çon në izolim social, (në kuptimin fizik të izolimit) sistemi imunitar fizik dobësohet. Dhe meqënëse Covid-19 është ylli i ditës, shumë pacientë po i faturohen atij.
Por çuditërisht, ekspertët vazhdojnë të këmbëngulin në vazhdimin e distancës dhe maskave, duke injoruar tërësisht dobinë e ndërlidhjes së të dy sistemeve imunitare në shëndetin e njeriut, theksuar si faktor me rëndësi edhe nga mjekët “rebelë” amerikanë në daljen e tyre publike.
Ekspertët me kollare dinë gjithashtu se një x medikament funksionon, por ata e ndalojnë me argumentin se duhet ta studiojnë mbi kaviet, ndërkohë që mjekët parësorë deklarojnë se ilaçi është provuar dhe ka dhënë sukses tek njerëzit.
Ju do thoni, se në kohët e sotme kur shkenca shitet e blihet dhe kërkimi shkencor kryhet sipas interesave të sponsorit, shumë studime nuk janë të besueshme. Keni të drejtë! Ashtu siç kemi të drejtë të dyshojmë dhe të vemë në pikëpyetje gjithçka që na serviret (dhunshëm edhe pse lustruar politikisht korrekt) pa u stigmatizuar dhe bllokuar nga “padronët e të vërtetës universale”.
Ne ende nuk dimë saktësisht nëse maska, doreza, distancimi social, mbyllja e kufijve, gjendjet e gatishmërisë sjellore për t’u mbrojtur nga virusi i kudondodhur, janë masa parandaluese në dobi të shëndetit të njeriut apo në dëm të interesave të tij.
Ende do shohim në distancë njerëz meraklinj me maska e doreza vënë edhe brenda në makinën e tyre, në shtëpi apo edhe në mes të liqenit duke u larë. Ende nuk e dimë nëse frika ndaj Covid-19 po na mbron prej tij, apo po na hap vatra të tjera dëmesh?
Pse nuk i dimë këto? Sepse nuk ka ende studime gjithëpërfshirëse do thonë Ekspertët-Padronë të së Vërtetës dhe Saktësisë Universale.
Pra, përsa kohë që nuk ka një qëndrim të unifikuar, përsa kohë që nuk kanë rënë dakord në pazare konkluzionesh kokat e mëdha të shkencës, informacionit, e politikës, ajo që do dimë me siguri është se jemi variabla në një studim gjigand ndërkombëtar aspak etik.
Referencat:
Dedja, B. (1989). Drejt enigmave të psikikës së njeriut. 8 Nëntori, Tiranë
Hawkley, L.C., & Cacioppo, J.T. (2010). Loneliness Matters: A Theoretical and Empirical Review of Consequences and Mechanisms. Annals of Behavioral Medicine, 40, 218-227.
Koleva, S.P., & Rip, B. (2009). Attachment style and political ideology: A review of contradictory findings. Social Justice Research, 22, 241–258.
Murray, D., Schaller, M., & Suedfeld, P. (2013). Pathogens and Politics: Further Evidence That Parasite Prevalence Predicts Authoritarianism. PLS ONE, 8(5).
Schaller, M. (2011). The behavioral immune system and the psychology of human sociality. Transactions of the Royal Society B: Biological Sciences, 366(1583).
Troisi, A. (2020). Fear of Covid-19: Insights from evolutionary behavioral science. Clinical Neuropsychiatry: Journal of Treatment Evaluation, 17(2), 72–75.