Pas reagimit të ashpër të ministres Elisa Spiropali lidhur me komentet e zëdhënësit të PPE-së Michael Gahler, vjen një reagim nga Partia Demokratike.
Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, i përgjigjet Spiropalit duke thënë se sulmi ndaj Gahler është një turp për qeverinë Rama.
Ai thotë se Gahler është një mik i shqiptarëve dhe se është e pandershme që të sulmohet vetëm pse ai thotë të vërtetën.
“Sulmi i qeverisë ndaj zëdhënësit të Partisë Popullore Europiane, Michael Gahler, është një turp për Edi Ramën. Michael Gahler është një mik shumë i mirë i Shqipërisë. Është një nga shumë miqtë e PPE-së në Parlamentin Europian, i cili ka ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit, sa herë ka patur nevojë. Këtë rrugë Edi Rama po e bën shumë të vështirë, e ka bllokuar prej gati 7 vjetësh, vetëm për interesin personal.
Është e pandershme që qeveria ta trajtojë mikun gjerman si armik, vetëm pse Michael Gahler tha të vërtetën:
Me ndryshimet e njënashme kushtetuese marrëveshja e arritur me opozitën u zhbë, partnerët nga BE dhe vendet anëtare nuk u dëgjuan, rregullat e lojës për zgjedhje u ndryshuan në mënyrë të njëanshme.
Fyes për shqiptarët është të mashtrosh partnerët, është t’u premtosh marrëveshje dhe pastaj ta grisësh atë.
Tradhti ndaj interesave të shqiptarëve është të shpërfillësh paralajmërimet e Bashkimit Europian dhe të izolosh vendin.
Fyes dhe kriminal është përdorimi i disa deputetëve pa mandat si fasadë për llogaritë e Ramës kundër interesit të shqiptarëve. “– shkruan Paloka.
Më pas ai bën edhe një korrigjim për Spiropalin, duke thënë se ka hedhur foton e gabuar, pasi në foton e publikuar nga ajo nuk shfaqet deputeti gjerman Gahler.
“Dhe një sqarim të fundit vetëm për ‘nafijen e partisë’, Elisa Spiropalin. Kur Edi Rama të të sjellë gati tekstin e sulmit për ndonjë mik tjetër të Shqipërisë, kërkoji foton e saktë. Ky që të kanë dhënë, nuk është Michael Gahler.”– shkruan Paloka. Personi që shfaqet krah ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Fatmir Mediut, është deputeti gjerman i Bundestagut, Albert Weiler.