Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se në dy javët që kemi përpara pritet që qindra njerëz të kërkojnë ndihmë në spitale. Kjo për shkak të grumbullimeve të qytetarëve në disa qendra, mbrëmjen e kaluar.
Hoti thotë se mes grumbujve të njerëzve është e sigurt se ka patur edhe të infektuar me Covid-19.
“Të dashur qytetarë,
Dje ne e uronim njëri tjetrin në familjet tona, ndërsa mjekët, infermierët dhe stafi tjetër mbështetës kujdeseshin për të dashurit tonë të prekur me COVID-19.
Mbrëmë ka pasur grumbullim të madh të qytetarëve në disa qendra, që është në kundërshtim me masat e ndërmarra nga Qeveria, të rekomanduara nga IKSHP dhe profesionistët shëndetësorë. Në gjithë atë masë të njerëzve është e sigurt se ka pasur të prekur me COVID-19, që mund të jenë pa simptoma. Kushdo që ka qenë prezent aty, me gjasë e ka marrë virusin. Kjo nënkupton se në dy javët në vijim, qindra qytetarë që do të kërkojnë trajtim në spitale nga po të njëjtit mjekë, këshillat e të cilëve nuk po i respektojnë.”– thotë Hoti.
Kryeministri i Kosovës shton se policia dhe inspektoriati janë në terren për t’u siguruar se masat kundër koronavirusit po zbatohen, por u bën thirrje qytetarëve që secili prej tyre të jetë në një fare mënyre një polic apo inspektor.
Hoti u bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda në shtëpi, kur dalin të përdorin maska dhe të qëndrojnë larg turmave.
“Policia dhe inspektorati janë në terren për të mbikëqyrë zbatimin e masave, por ata nuk mund të na ruajnë nga vetja jonë. Secili nga ne duhet të jetë polic dhe inspektor. Kur shkoni në dyqan, në furrë, në restorant, në komunë, e kudo tjetër, të siguroheni se janë plotësuar kushtet që ju vetë të mos infektoheni dhe të mbroni të tjerët.
DUHET të qëndroni në shtëpitë e juaja, në mënyrë që të ruani familjen e juaj, miqtë dhe të tjerët. DUHET të qëndroni larg turmave, të mbani maskën jashtë shtëpisë, e në veçanti në ambiente ku ka qytetarë. DUHET të mbani gjithmonë distancën prej dy metrash. DUHET të mos përshëndeteni me dorë. DUHET të mbani higjienën dhe përdorni dezinfektues duarsh. Rrugë tjetër nuk ka, derisa nuk zbulohet vaksina.
Përndryshe, sistemi shëndetësorë nuk mund të përballojë ngarkesën, duke mos qenë në gjendje të ofrojë kujdes për të prekurit me COVID-19 që kanë nevojë për trajtim.
Të angazhohemi të gjithë së bashku që të ruajmë të dashurit tonë.”– shkruan Hoti.