Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Socale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se 300 mjekë, infermierë e teknikë, do t’i shtohen sistemit tonë shëndetësor, në përgjigje të planit dhe strategjisë afatmesme për situatën e shkaktuar nga COVID-19.
“Vendimi i qeverisë ka alokuar 300 punonjës të dedikuar për spitalet që priten të hapen, por edhe për planin tonë afatmesëm në kuadër të përgjigjes të situatës të shkaktuar nga COVID19. 300 punonjës do të jenë mjekë, teknikë apo infermierë, që do t’i përgjigjen nevojave të spitaleve COVID apo nevojave të tjera që ka sistemi shëndetësor”, tha Manastirliu gjatë një takimi me mjekët epidemiologë të Tiranës.
Gjatë këtij takimi, ministrja tha se po vijon puna për forcimin e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore për përgatitjen e periudhës vjeshtë dimër.
“Ne po përgatitemi për vjeshtë-dimrin, që sigurisht do të jetë i vështirë, por po përgatitemi të fuqizojmë asetet sa i përket burimeve njerëzore, epidemiologët, punonjësit në shërbimet e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor jo vetëm në Tiranë, ku janë dyfishuar ekipet por edhe në të gjithë qarqet, në mënyrë që në terren të kemi më shumë epidemiologë, më shumë punonjës, të cilët të mundet të kenë prioritet jo vetëm testimin, por edhe gjurmimin, hetimin për kufizimin e infeksionit”, tha Manastirliu.
Ajo shtoi se epidemiologët në terren kanë vërejtur shtim të rasteve te moshat e reja, të cilët janë infektuar nga frekuentimi i vendeve me grumbullime masive, kryesisht festa dhe ditëlindje. Për këtë arsye, ministrja u bën thirrje të rinjve të tregohen të përgjegjshëm për veprimet e tyre.