Vendosni fjalën kyçe....

Standard & Poor’s paralajmëron uljen e renditjes për Shqipërinë: Nëse borxhi vazhdon rritjen dhe materializohen detyrimet e PPP-ve


Në rishikimin më të fundit të saj, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.

Por, agjencia paralajmëron se do të mund të ule renditjen vitin e ardhshëm, nëse borxhi publik vazhdon rritjen dhe materializohen detyrimet e PPP-ve.

“Ne mund të ulim renditjen gjatë vitit të ardhshëm, në rast se në të kundërt të pritshmërive tona, financimi I deficitit të jashtëm bëhet më pak I sigurt, duke ushtruar presion mbi rezervat. Ne do të ulnim gjithashtu renditjen, nëse stoku i borxhit qeveritar vazhdon rritjen, për shkak ose të deficitit më të lartë fiscal, ose të materializimit të detyrimeve nga partneritetet publike private (PPP).”

Borxhi publik i vendit arriti në nivele rekord prej 80% të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB), sipas burmeve zyrtare të Ministrisë së Financave, duke arritur që në mes të vitit objektivin për fundin e 2020-s (shënim i Monitor).

Financat vlerësojnë mbajtjen të pandryshuar të renditjes

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, Agjensia vlerëson se Pandemia COVID-19, dhe kufizimet e lidhura me lëvizjen e njerëzve, do të bëjnë që ekonomia e Shqipërisë të kontraktohet ndjeshëm në vitin 2020. Pandemia ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë veçanërisht në sektorin e turizmit në mbarë globin, dhe Shqipëria nuk bën përjashtim, për shkak të peshës së lartë, që zë ky sektor në ekonominë e vendit.

Agjencia shprehet se qeveria është duke ndërmarrë një program të fortë stimulues për të kufizuar ndikimin ekonomik nga pandemia dhe për të rifilluar përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit të kaluar. Qeveria ka siguruar mbështetje kreditore nga Institucione Financiare Ndërkombëtare për të financuar hendekun fiskal këtë vit dhe për të ndaluar presionet e bilancit të pagesave. Qeveria gjatë këtij viti arriti të emetojë edhe një Eurobond. Nëse ekonomia përkeqësohet më shumë nga sa parashikojnë institucionet, Qeveria ka ende hapesira për disa politika të mëtejshme.

Agjencia shprehet se financat publike të Shqipërisë janë konsoliduar vitet e fundit. Deficiti i qeverisë së përgjithshme u ngushtua në 1.9% të PBB-së në 2019 nga 5.2% në 2014, e udhëhequr kryesisht nga kufizimi i shpenzimeve. Ne presim që ky deficit të rritet në 8.5% të PBB-së këtë vit për shkak të humbjeve në të ardhurave, shpenzimeve shtesë që lidhen me pandeminë, dhe shpenzime të larta të kapitalit.

Ne projektojmë që raporti i borxhit të përgjithshme ndaj PBB-së të rritet në gati 80% të PBB-së në vitin 2020, ndërsa pritet të ulet nga viti 2021 e më tej, si rezultat i shuarjes së masave të jashtëzakonshme dhe rimëkëmbjes së ekonomisë. Agjencia vlerëson ekspozimin ndaj rreziqeve të mundshme fiskale, në formën e partneriteteve publike-private (PPP) dhe nevojën për parashikueshmërinë e tyre. Agjensia shprehet se autoritetet po ndjekin në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik, i cili aktualisht karakterizohet nga risku i rifinancimit dhe ai i kursit të këmbimit.
Agjencia shprehet se disa përpjekje të kujdesshme të qeverisë do të mbështesin konsolidimin në vitet e ardhshme. Agjencia vlerëson se raporti fiskal i të ardhurave ndaj PBB-së së Shqipërisë ka potencial për t’u rritur. Qeveria është e angazhuar të reduktojë informalitetin përmes zbatimit të legjislacionit dhe sistemeve.
Agjesia shprehet se për të rivendosur disiplinën fiskale, amendimet e fundit të bëra nga autoritetet në ligjin organik të buxhetit sanksionojnë që qeveria duhet të mundësojë një balancë primare pozitive prej vitit 2023 e në vijim. Madje agjencia ka pritshmërinë që qeveria mund ta arrijë këtë objektiv që në vitin 2022. Ky rregull i shtohet rregullit ekzistues së uljes së të borxhit, i cili kërkon një rënie të vazhdueshme në raportin e borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së.
Agjensia vlerëson se sektori bankar, kryesisht i financuar nga depozitat dhe kryesisht në pronësi të huaj, ka zvogëluar pjesën e tij të kredive me probleme në rreth 8% të totalit të kredive. Kjo paraqet një rënie të theksuar nga kulmi prej 25% i reggistruar në vitin 2014.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *