Facebook-u ka marrë urdhër nga Gjykata Supreme e Brazilit për të bllokuar llogaritë e aleatëve të presidentit Jair Bolsonaro.
Grupi akuzohet për përhapjen e lajmeve të rreme kundër gjyqtarëve, shkruan BBC. Gjigandi i mediave sociale tha se kjo masë përbënte një kërcënim për lirinë e fjalës dhe tha se do të apelonte kundër urdhrit.
Platforma online ishte përdorur për të bërë thirrje për një grusht shteti ushtarak për të mbyllur Kongresin dhe Gjykatën Supreme. Në muajin maj një gjyqtar urdhëroi Facebook-un të bllokojë 12 llogari dhe Twitter-in për 16 të tjera.
Ndërsa të premten, Gjykata Supreme e Brazilit e gjobiti Facebook-un me 368,000 dollarë, pse refuzoi të mbyllte këto llogari por vendosi të mbyllte vetëm aksesin nga Brazili në këto llogari. Po ashtu gjykata vendosi një shtesë prej rreth 19 000 dollarë për çdo ditë që refuzoi vendimin.
Facebook tha në një deklaratë se urdhri ishte ekstrem, “në kundërshtim me ligjet dhe juridiksionet në të gjithë botën”.
Ndër llogaritë e bllokuara janë ato të Roberto Jefferson, udhëheqës i një partie besnike ndaj presidentit Bolsonaro, dhe Luciano Hang, një nga biznesmenët më të njohur të Brazilit.
Facebook dhe Twitter janë nën presion në rritje për të trajtuar gjuhën e urrejtjes dhe informacionin e rremë.