Është rënduar trafiku në disa nga rrugët kryesore në vend që shërbejnë si pika kthimi nga pushuesit.
Sipas policisë, pikat më problematike janë akset Orikum-Radhimë-Vlorë, Gjiri i Lalzit – nënkalimi i Maminasit, Aksi kompleksi Lura – Armathe dhe Milot-Lezhë.
Janë vendosur gjithashtu dhjetëra gjoba ndaj drejtuesve të mjeteve për shkelje të ndryshme
Njoftimi
-Vijon fluksi në kthim nga zonat bregdetare në drejtim të Tiranës dhe Morinës.
-Trafik i ngarkuar në Orikum-Radhimë-Vlorë, lëvizja e mjeteve me rrjedhje të ngadaltë dhe pa ndërprerje.
-Lëvizje e shtuar në rrethrotullimin Bishti i Zhurit në drejtim të Elbasanit.
-Ka fluks të shtuar në rrethrrotullimin e Bradasheshit, si nga Peqini, ashtu dhe ardhja nga Librazhi për në drejtim të Tiranës.
-Fluks të shtuar në të dy segmentet, atë të Ndroqit dhe të TEG-ut.
-Vazhdon të jetë trafik i rënduar në aksin Gjiri i Lalzit – nënkalimi i Maminasit. Mjetet lëvizin ngadalë dhe autokolonë.
-Aksi kompleksi Lura – Armathe ka ngarkesë maksimale. Mjetet lëvizin autokolonë shumë ngadalë.
-Nga Shëngjini deri në rrethrrotullimin në hyrje të Lezhës ka fluks të rënduar, por pa bllokime.
-Ardhja nga Lezha në drejtim të Milotit është me ngarkesë maksimale.
-Fluksi në hyrje të Tiranës është i shtuar, por vijon lëvizja pa probleme
Shërbimet e Policisë Rrugore janë prezente në rrugë dhe po vijojnë punën për të ndihmuar lëvizjen e mjeteve duke shmanguar bllokimet e ndalesat që vijnë si pasojë e parakalimeve të gabuara.
Si rezultat i kontrolleve në lëvizje, në Fier është vënë në pranga një drejtues mjeti, shtetasi D. Xh., 38 vjeç, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.61 mg/l dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Në aksin rrugor Librazh-Elbasan, Policia Rrugore e Elbasanit para pak minutash ka vënë në pranga 29-vjeçarin E. S., i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.95 mg/l, duke u kthyer në rrezik potencial për sigurinë e jetës në rrugë.
Gjithashtu në Vlorë, Durrës, Lezhë e Tiranë, gjatë pasdites së sotme, si rezultat i kontrolleve me radar janë pezulluar 13 leje drejtimi për shpejtësi dhe parakalime të gabuara me fushëpamje të kufizuar, si dhe 9 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Njëkohësisht janë vendosur 49 masa administrative për parakalime të gabuara në akset e sipërpërmendura, pasi kanë krijuar bllokime në rrugë.
Po gjatë pasdites e deri në këto momente janë vendosur 76 masa për përdorim të celularit, 101 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 23 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mtejeve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, sinjalistikën orientuese dhe kufizuese, të zgjedhin dhe përdorin rrugë alternative dhe të telefonojnë në 112 apo të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital për ata drejtues mjetesh që shkelin rregullat e qarkullimit, duke u kthyer në rrezik për aksidente rrugore.