Egjipti ka ftuar miliarderin Elon Musk që ta vizitojë dhe të shohë vetë nga afër se piramidat e famshme nuk janë ndërtuar nga alienët.
Bosi i SpaceX kishte mbështetur në “Twitter” teoritë e konspiracionit se alienët ishin përfshirë në përpjekjet kolosale të ndërtimit të piramidave.
Manjati i teknologjisë shkruante: “Alienët i ndërtuan piramidat sigurisht”. Dhe postimi i tij u shpërnda më shumë se 84,000 herë.
Por ministrja e bashkëpunimit ndërkombëtar në Egjipt nuk dëshiron që alienët të marrin ndonjë meritë për këtë.
Ministrja Rania al-Mashat thotë se po ti shohë vetë Musk varret e ndërtuesve të piramidave do të shihte provat.
Këtë përgjigje al-Mashat e dha po në “Twitter” duke shtuar se e ndjek dhe e admiron punën e Musk. Megjithatë ajo e nxit atë të hulumtojë më tej provat në lidhje me ndërtimin e strukturave të ndërtuara për faraonët e Egjiptit.
Arkeologu egjiptian Zahi Hawass gjithashtu u përgjigj në një video të shkurtër në arabisht, duke thënë se argumenti i Musk ishte një “halucinacion i plotë”.
“Kam gjetur varret e ndërtuesve të piramidave që u tregojnë të gjithëve se ndërtuesit e piramidave janë egjiptianë dhe nuk ishin skllevër”- është shprehur ai.
Musk më vonë shpërndau një shkrim të BBC-së në lidhje me jetën e ndërtuesve të piramidës, duke thënë: “Ky artikull i BBC-së ofron një përmbledhje të arsyeshme për mënyrën se si u ndërtuan”.
Ka më shumë se 100 piramida në Egjipt, por më e famshmja është Piramida e Madhe e Gizës, e cila është rreth 137 metra.