Avokati i Ndroqit, Alban Qafa, tha për mediat se klienti i tij nuk është ndaluar dhe as shoqëruar, por ka bërë shoqërimin e mjetit të tij ‘Mercedes-Benz, modeli S600’, pasi është ndaluar nga forcat operacionale për sekuestrimin e makinës si pjesë e vendimit të SPAK.
Avokati i tij tha se vendimi për sekuestrimin e pasurive të tij do të apelohet në Apelin e GJKKO, pasi pasuritë e tij janë të ligjshme.
Avokati tha gjithashtu se ky është një sulm politik që po i bëhet atij, pas gjyqit që ka të hapur me kreun e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.
“Është vendosur sekuestro e pasurive të tij. Ka qenë duke udhëtar me makinë e tij Merces-Benz, modeli S600″ dhe është ndaluar nga forcat operacionale për t’i marrë makinën si pjesë e sekuestros. Ylli Ndroqi nuk është ndaluar dhe as shoqëruar, por ka shoqëruar makinën e tij dhe të kërkojë sqarime. Pasuria e tij është nga burime të ligjshme dhe se Ylli Ndroqi mendon se ky është një sulm politik dhe për shkak të gjyqit që po zhvillohet njëkohësisht ndaj tij dhe Kryebashkiakut Erion Veliaj”, tha avokati Qafa.