Vendosni fjalën kyçe....

Microsoft në bisedime për blerjen e Tiktok-ut në SHBA


Microsoft, një nga kompanitë kryesore të teknologjisë në SHBA, njoftoi se ka filluar bisedimet për të blerë degën amerikane të aplikacionit TikTok të kompanisë kineze “ByteDance”.

Në deklaratën e bërë nga Microsoft, thuhet se CEO i kompanisë Satya Nadella, ka takuar presidentin amerikan Donald Trump.

Në takim janë trajtuar shqetësimet e Trump në lidhje me sigurinë dhe censurimin.

Më tej në deklaratë bëhet e ditur se pas takimit mes Trump dhe Nadella, kanë filluar hulumtimet rreth blerjes së degës amerikane të TikTok.

Kompania, sipas deklaratës, është duke zhvilluar bisedime për blerjen e të drejtës së shërbimeve dhe të drejtën e veprimit në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelanda e Re.

Bisedimet pritet të zhvillohen deri më 15 shtator.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë nuk bëri ndonjë vlerësim rreth deklaratës së Microsoft.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në fillim të korrikut kishte njoftuar se planifikojnë ndalimin e rrjeteve sociale me origjinë kineze përfshirë edhe aplikacionin TikTok.

Ndërsa Trump kishte theksuar se janë duke trajtuar çështjen në lidhje me ndalimin e TikTok për shkak të lidhjes së saj me administratën kineze.

Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, nga ana tjetër, kishte theksuar se kanë disa zgjidhje dhe se do t’i ofrojnë Trumpit një propozim.

TikTok në mbarë botën dhe SHBA-të ka 800 milionë përdorues aktivë, ndërsa pretendohet se informacionet personale të përdoruesve i ndan me administratën kineze.

Shumë ekspertë amerikanë janë të mendimit se kompania “përbën kërcënim në sigurinë kombëtare të SHBA-së”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *