Vendosni fjalën kyçe....

Situata e zjarreve në vend, Çako: Shkak temperaturat e larta dhe të qëllimshme, bashkitë të mbajnë përgjegjësi ligjore


Kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako ka dhënë informacion lidhur me situatën e zjarreve në vendin tonë ku ditët e fundit vatrat kanë qenë të përhapura gati nëpër të gjithë Shqipërinë.

Në një deklaratë për mediat, Çako thotë se shkaqet për zjarret janë temperaturat e larta apo edhe neglizhenca e banorëve të zonës apo edhe të qëllimshme.

Nga muaji Janar deri në Korrik janë evidentuar 329 vatra zjarri, ku vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri.

Ai ka kërkuar nga bashkitë që të mbajnë përgjegjësi për situatën e krijuar me zjarret në vendin tonë.

Deklarata e plotë:

Ardhja e stinës së verës u shoqërua me rritje të mëdha të temperaturave duke shtuar së tepërmi mundësinë e rënies së zjarreve në pyje, sipërfaqe me shkurre, kullota etj.

Shkaqet e rënies së zjarreve natyrisht janë temperaturat e larta por nuk ka munguar neglizhenca, pakujdesia e banorëve të zonës dhe në shumë raste ka qene zjarrvënie e qëllimshme, për të cilët policia e shtetit po heton dhe gjej rastin ta inkurajoj për intensifikimin e punës për gjetjen dhe kapjen e autorëve të vënies së zjarreve.

Nga muaji Janar deri në Korrik janë evidentuar 329 vatra zjarri, ku vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri.

Sipas raportimeve të bëra nga Bashkitë dhe Prefekturat në AKMC (bashkitë më të prekura janë:
Shkodra, Fieri, Vlora, Durrësi, Gjirokastra, Lezha, Dibra, Korça, Berati, Kukësi, Tirana, dhe Elbasani. Në total ne gjithë Shqipërinë janë djegur 598 hektarë duke përfshirë dhe 2419 rrënjë ullishte dhe 217 rrënjë pemëtarie.

Gjatë gjithë kësaj periudhe AKMC ka qenë dhe do të vijojë të jetë në gatishmëri të plotë për të dhënë asistencën e saj si autoriteti qendror koordinues, kontrollues dhe mbikëqyrës në fushën e mbrojtjes civile dhe të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë.

AKMC gjatë gjithë kësaj periudhe përveç koordinimit dhe menaxhimit të situatës së krijuar në mënyrë të pandërprerë ka kryer dhe rolin e kontrolluesit dhe monitoruesit të të gjitha strukturave të angazhuara në përballimin e kësaj situate.

Ndërkohë që disa bashki janë angazhuar maksimalisht në përballimin e zjarreve si me mjete ashtu dhe me njerëz disa prej tyre ende sot nuk po përdorin tërësinë e aseteve të deklaruara për çështje të mbrojtjes civile.

Duhet të jetë e qartë nga të gjithë se mbrojtja civile nuk është thjesht një kompetencë e shtuar për to, por një detyrim dhe një përgjegjësi primare e tyre, për të cilat duhet të jenë të përgatitura me njerëz, mjete, strategji vendore, plane veprimi dhe buxhetim përkatës.

Në çdo rast fatkeqësie, janë vetë bashkitë ato të cilat mbajnë rolin dhe peshën kryesore për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, gjësë së gjallë, pronës, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit, ndërkohë që angazhimi i strukturave qendrore operacionale siç janë FA apo Policia e shtetit sipas ligjit vjen vetëm pas ezaurimit të resurseve në nivel vendor.

AKMC dhe Ministria e Mbrojtjes janë në kontakt të vazhdueshëm me pushtetin vendor, dhe janë duke ndjekur në kohë reale situatën në çdo vatër zjarri. Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për t’ju përgjigjur çdo përkeqësimi situate siç kundër e kanë bërë deri tani përmes ndërhyrjeve nga ajri. Sipas ligjit të ri “Për Mbrojtjen Civile”, Forcat e Armatosura angazhohen në raste emergjencash duke asistuar të gjithë ato bashki të cilat kanë përmbushur detyrimet tyre ligjore për angazhimin e kapaciteteve dhe respektimin e ligjit për parandalimin dhe përballimin e zjarr vënieve. AKMC ka konstatuar se disa bashki rendin të kërkojnë ndërhyrjen e FA pa ezauruar më parë kapacitetet e tyre, veprim i cili sjell një faturë financiare disa herë më të lartë se sa ajo që ligji parashikon për pushtetin vendor në rastin e emergjencave civile.

Në bazë të ligjit të ri, AKMC si strukturë koordinuese ju rikujton bashkive që nuk zbatojnë ligjin se do të përballen me penalitete për çdo rast, kur nuk respektojnë dispozitat ligjore për përballimin e emergjencave civile.

Së fundmi do të dëshiroja t’u bëja thirrje të gjitha strukturave të qeverisjes vendore që të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit me qëllim intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e autorëve të zjarreve të qëllimshme dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *