Tregu i sigurimeve ka shënuar rënie në 6 mujorin e parë të vitit, i ndikuar nga tkurrja e primeve si nga sigurimi i jetës ashtu dhe jo jetës. Por, janë rritur ndjeshëm dëmet e paguara nga kompanitë për Sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës, e lidhur me dëmshpërblimet nga tërmeti. Në kahun tjetër, pas pasojave të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, ka pasur më shumë interes dhe ndërgjegjësim për t’u siguruar nga Zjarri dhe dëmtime të tjera në prone, primet e të cilit janë të vetmit që kanë shënuar rritje me bazë vjetore në tremujorin e parë. Gjithsesi, numri i kontratave të kësaj kategorie është rritur shumë më pak, duke treguar indirekt se rritja ka ardhur jo nga individët, por nga kontratat e mëdha të bizneseve e institucioneve.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri të ditur se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar–qershor 2020 kapën vlerën mbi 7.5 miliardë lekë, ose 6.66% më pak se në periudhën janar–qershor 2019.
Me ritme më të larta ra numri i kontratave. Gjatë periudhës janar–qershor 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 434,968 me një ulje prej 26.45% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.49% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.49%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.62% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.38% të totalit të tregut, thekson AMF.
Rriten dëmet e paguara, kompanitë paguajnë 16 mln euro dëmshpërblime
Gjatë periudhës janar–qershor 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,081 milionë lekë, ose 46.75% më shumë se në periudhën janar–qershor 2019.
Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës me rreth 2.1 miliardë lekë (rreth 16 mln euro), apo 50.45 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Përveç zjarrit dhe forcave të natyrës, për të gjitha kategoritë e tjera, kompanitë kanë paguar më pak dëme.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar–qershor 2020 arritën rreth 4.6 miliardë lekë, ose 6.73% më pak se në periudhën janar–qershor 2019.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-qershor, pati një ulje prej 0.07% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 1.57% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-qershor pati një ulje prej 36.22% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 49.45% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-qershor, pati një ulje 36.15% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar–qershor 2019. Edhe numri i kontratave u ul me 48.22%.
Sigurimi Vullnetar, frika pas tërmetit rrit sigurimin në vlerë për “Zjarrin dhe Forcat e Natyrës”, por jo numër kontratash
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar–qershor 2020 arritën rreth 2,989 milionë lekë, 6.54% më pak se në periudhën janar–qershor 2019. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 40.15% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar–qershor 2020, patën ulje me 2% kundrejt periudhës janar–qershor 2019.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar–qershor 2020 siguruan mbi 1,491 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 64.32%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 27.26% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar–qershor 2020, vihet re një rritje prej 32.28% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 0.77% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-qershor 2020, arritën në rreth 577 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 15.99% në krahasim me periudhën janar–qershor 2019.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al