Vendosni fjalën kyçe....

Nëna ukrainase hap tunelin 10 metra të gjatë për të liruar djalin nga burgu


Një nënë e cila u përpoq të gërmonte një tunel për të nxjerrë nga burgu djalin e saj të dënuar për vrasje, tani po përballet me burgun vetë.

Daily Mail shkruan se gruaja 51-vjeçare, kishte marrë me qira një shtëpi pranë burgut në rajonin jugor të Zaporizhia në Ukrainë, ku djali i saj po vuan një dënim të përjetshëm.

Ajo më pas përdori lopata dhe kazma për të gërmuar një tunel rreth 3 metra të thellë në një fushë aty pranë, e më pas e hapi rreth 10 metra të gjatë deri nën muret e burgut.

Gazeta shkruan se gruaja, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, gërmoi vetëm natën në mënyrë që të mos tërhiqte vëmendjen me një pajisje që nuk bënte zhurmë.

“Ajo kishte një lloj karroce, një copë kompensatë me rrota të vogla, në mënyrë që të mund të hiqte dheun” – tha roja i burgut. Dheu është hedhur pranë një garazhi, afër vendit ku ndodhej vendi i gërmimit.

Në kohën kur u arrestua, gruaja kishte zhvendosur rreth tre tonë dhe. Kjo tre javë pasi filloi këtë projekt.

Gjatë ditës, gruaja qëndronte brenda për të mos tërhequr vëmendjen si një e huaj.
Kur stacioni televiziv ukrainas TSN i tregoi një fotografi të saj një blerësi të afërt, ai nuk e njohu.

Një banor i zonës vlerësoi aftësitë e nënës në punën e vështirë: “Kjo nënë u përgatit plotësisht. Ndoshta ajo është vajzë minatori. Të gërmosh tre metra thellësi do të ishte mjaft e vështirë. Ajo nuk kishte ekskavator ose asgjë të llojit.”

Lidhur me identitetin e djalit të saj të burgosur nuk janë dhënë detaje, por thuhet se është nga Mykolaiv, rreth 5 orë larg me makinë nga burgu.

Pavarësisht gjestit të gabuar, gruaja u lavdërua nga ukrainasit me komente si: “Kjo është një nënë e vërtetë – jo nga ato që braktisin fëmijët e tyre”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *