61-vjeçari i shpallur në kërkim pasi firma e tij po nxirrte gurë dekorativë pavarësisht pezullimit të licencës në Malin e Tomorrit është Selim Qama, babai i deputetit të opozitës Klajdi Qama.
Selim Qama është administrator i subjektit ‘Klerajdi’, kompani e cila ushtron aktivitetin e “Grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të gurëve dekorativë”.
Djali i tij, Klajdi Qama hyri në parlament si një nga deputetët e rinj nga listat e LSI-së, pas djegies së mandatëve të deputetëve të opozitës.
Policia e Beratit tha sot kishte arrestuar dy persona, të cilët janë kapur duke nxjerrë pllaka guri dekorativ në Malin e Tomorit, në zonën e shpallur “Park Kombëtar”.
Të arrestuarit janë administratori dhe punonjësi i një firme, të cilës i është pezulluar licenca për nxjerrjen e pllakave dekorative. Në kërkim ishte shpallur dhe administratori tjetër 61-vjeçari, Selim Qama.
Ata akuzohen se materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë e tregtonin duke pasur aktivitetin me status të pezulluar dhe me fatura fiktive.
Njoftimi i Policisë
Vijon kontrolli për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme që shkakton dëmtime në malin e Tomorit.
Ushtronte aktivitetin e nxjerrjes së pllakave dekorative edhe pse i kishin pezulluar licencën, kapet dhe vihet në pranga administratori i firmës.
Gjatë kontrollit është vënë në pranga edhe një punonjës i një subjekti tjetër të përpunimit të gurit, ndërsa administratori i këtij subjekti është shpallur në kërkim.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- D. L., 26, vjeç, banues në fshatin Novaj, Skrapar, administrator i një subjekti që i është revokuar licenca e ushtrimit te aktivitetit, me objekt veprimtarie “Grumbullim, përpunim dhe tregtim i gurëve dekorativë”;
- S. K., 40 vjeç, banues në Poliçan, punonjës i një subjekti;
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi S. Q., 61 vjeç, banues në Tiranë, administratori i subjektit.
Arrestimi i dy shtetasve dhe shpallja në kërkim e administratorit u bë pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura Berat, në aksin dytësor Novaj–Pronovik, në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit”, kanë konstatuar me dy mjete, njëri pa targa, të ngarkuar me pllaka guri dekorative, të nxjerra në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.
Dyshohet se këta shtetas materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë e tregtonin duke pasur aktivitetin me status të pezulluar dhe me fatura fiktive.
Materialet iu referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, ‘’Fshehja e të ardhurave’’ dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.