Vendosni fjalën kyçe....

“Qeveria e koalicionit të gjerë në Maqedoninë e Veriut, do përgatisë zgjedhjet e parakohshme”


Sipas një mediaje maqedonase, pritet që qeveria e re në Maqedoninë e Veriut të jetë e koalicionit të zgjeruar ku do marrin pjesë të gjitha partitë që kanë marrë deputet në zgjedhjet e 15 korrikut.

Portali ‘Dnevni Novosti’ shkruan se kjo qeveri do të funksionojë deri në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, ku bashkë me to do të mbahen edhe ato të parakohshme parlamentare.

Media në fjalë citon burime diplomatike të pakonfirmuara të vendeve të BE-së, raporton INA.

“Nga nesër priten befasi të mëdha në skenën politike në kontekst të krijimit të qeverisë së re. Perëndimi ka vendosur që t’i japë fund qeverisjeve korruptive dhe padrejtësive në Maqedoninë e Veriut”, raportojnë burime diplomatike për ‘Dnevni Novosti’.

Qeveria e zgjeruar duhet të formohet në prag të zgjidhjes finale në dialogun Kosovë – Serbi, në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, situatës me Covid-19 e krizës ekonomike që mund të pasojë.

Kabineti i ri qeveritar përfshirë kryeministrin, ministrat, zv/ministrat si dhe zyrtarët e tjerë nuk duhet të kenë asnjë pike takimi me skandale, të jenë të përmendur e përfshirë në përgjime, apo në hulumtime për korrupsion.

Qeveria do të ketë për bazë pajtimin nacional, politik dhe etnik. Kjo qeveri e përkohshme do të organizojë zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen nga fundi i 2021 bashkë me ato të parakohshme parlamentare.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *