Një zonë industriale në afërsi të kryeqytetit iranian, Teheran, është përfshirë nga flakët ditën e sotme.
Ky është i disati rast që objekte të ndryshme në Iran përfshihen nga flakët duke rritur spekulimet mbi sabotazh të mundshëm.
Zjarri shpërtheu në një zonë industriale në rrethin Jajrud në qarkun Pardis, thanë mediat shtetërore. Një zyrtar i departamentit të zjarrfikësve tha për televizionin shtetëror se autoritetet përgjegjëse janë duke hetuar se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Irani është goditur nga një seri zjarresh dhe shpërthimesh gjatë dy muajve të fundit. Javën e kaluar, gjashtë kamionë me lëndë djegëse shpërthyen në flakë në provincën perëndimore të Iranit, Kermanshah.
Në qershor, një objekt depozitimi gazi që ndodhej afër kryeqytetit u dëmtua nga një shpërthim.
Më herët atë muaj, një shpërthim i madh në qendrën bërthamore Natanz raportohet se shkaktoi dëme të konsiderueshme.
Incidentet, disa prej të cilave nuk janë zbardhur ende kanë çuar në spekulime se pas ngjarjeve fshihen sabotatorë të mbështetur nga Izraeli.
Irani nuk i ka mbështetur publikisht spekulime të tilla, ndërsa Izraeli ka lëshuar deklarata të formuluara me kujdes, të cilat as konfirmojnë dhe as mohojnë përfshirjen.