Vendosni fjalën kyçe....

Familjes në Himarë u fundoset varka e peshkimit, dyshohet se gruaja është mbytur


Një mjet i vogël lundrues është përmbysur sot në Himarë për shkak të motit të keq, duke i rrezikuar jetën 3 anëtarëve të një familje dhe mikut të tyre.

Policia Kufitare dhe roja bregdetare thotë se kanë shpëtuar dy anëtarë të së njëjtës familje dhe mikun e tyre. Ata u dërguan në spital ku morën ndihmën shëndetësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Mirëpo dyshohet se gruaja e shtëpisë është mbytur dhe për të vijon kërkimi në det i ekipeve të shpëtimit.

Një nga të shpëtuarit, Fatjon Resulaj i cili ndodhej në varkë me 3 anëtarët e familjes ka rrëfyer për “News 24” momentet e ferrit.

“U nisa në 6.00 sot nga Moli i Himarës. Ishte fillimisht koha e mirë, ndërsa për 10 minuta u bë ciklon me shi dhe përmbysi varkën. Ne e pamë nga larg dhe ishte vonë. Ishim katër vetë. Ishte shoku im së bashku me djalin dhe nusen e tij. Zonja është e humbur dhe vazhdojnë kërkimet.
Pasi u përmbys anija, ne u mbajtëm tek anija fort. Djali u përpoq që të shpëtojë nënën, edhe ne, por situata ishte e rëndë shumë. Kemi bërë 5 kilometra rrugë dhe donim që ta shpëtonim, por ishte shumë e vështirë, mund të na rrëmbente rryma edhe neve”, tha i mbijetuari Resulaj.

DETAJET E POLICISË

Policia Kufitare dhe roja bregdetare shpëtojnë tre shtetas që rrezikuan të mbyteshin në det, të cilët kishin dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, i cili u fundos.

Vijon kërkimi intensiv në det, për gjetjen edhe të një shtetaseje që ishte në bordin e këtij mjeti lundrues, e cila dyshohet se është mbytur.

Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në Gjipe.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë.

Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit R. R., F. R. dhe A. R., ndërsa shtetasja M. R. nuk është gjetur ende. Vijojnë kërkimet intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare.

Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *