Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 100 numri i viktimave në Beirut, vijon kërkimi nën gërmadha për mbi 100 të zhdukurit


Ekipet e shpëtimit në Liban po kërkojnë për më shumë se njëqind njerëz që janë shpallur të humbur, pas një shpërthimi të madh që shkatërroi zonën e portit të kryeqytetit të martën.

Numri i viktimave në Beirut ka shkuar në 100, ndërsa janë plagosur më shumë se 4000 të tjerë. Këto janë shifrat e publikuara deri më tani, nga Media Shtetërore e Libanit.

I gjithë qyteti u trondit nga shpërthimi dhe një re e madhe tymi mund të shihej duke u përhapur në zonën e portit.
Presidenti Michel Aoun tha që shpërthimi ishte shkaktuar nga 2.750 ton nitrat amoniumi që ruhej prej disa vitesh në mënyrë të pasigurt në një depo në port.

Nitrati i amoniumit përdoret si një pleh në bujqësi dhe si lëndë plasëse. Por presidenti amerikan Donald Trump deklaroi para gazetarëve se gjeneralët e tij i kishin sugjeruar se nuk oishte thjesht një aksident, por një sulm.

Aoun caktoi një takim urgjent të kabinetit për të mërkurën dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë 2-javore.

Vendi do të jetë në një periudhë zyrtare zie për tre ditë, duke nisur nga sot.

Shpërthimi ndodhi pas orës 18:00 martën pas një zjarri në port. Një dëshmitar në vendngjarje Hadi Nasrallah thotë se e pa zjarrin por nuk e priste shpërthimin. 

“Kam humbur dëgjimin për disa sekonda, e dija se diçka nuk ishte në rregull, dhe më pas papritmas xhami thjesht u shpartallua në të gjithë makinën, makinat përreth nesh, dyqanet, , ndërtesat. Vetëm xham që binte nga gjithë ndërtesat. “ – i tha ai BBC-së.

Shpërthimi u ndje deri në 240 km larg në ishullin e Qipros, në Mesdheun lindor, me njerëzit atje që mendonin se ishte një tërmet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *