Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Rama e la vendin në mëshirë të fatit, PD-ja do rrisë punësimin e çlirojë ekonominë


Kreu i PD-së, ka deklaruar sot se vendi po përballet me një krizë të fortë ekonomike.

Ai shkruan se 5 muaj pas mbylljes nga pandemia Covid-19, ndihma ekonomike për bizneset e qytetarët nga ana e qeverisë e rendit Shqipërinë në vendin e fundit në rajon. Basha thekson se shqiptarët janë sot më të varfër se kurrë në 30 vitet e fundit.

“Pesë muaj pas mbylljes nga pandemia, është fakt që paketat ekonomike të qeverisë rezultuan gjysmake, të pamenduara dhe pa asnjë efekt për të lehtësuar krizën për qytetarët dhe bizneset. Ndihma reale për ekonominë nga qeveria Rama nuk arriti as në 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke u renditur e fundit në rajon. Faktet sot tregojnë se është lëvruar vetëm 32% e fondit total të dy paketave të premtuara nga qeveria. Shqiptarët janë sot më të varfër se kurrë këto 30 vitet e fundit,qindra biznese të vogla kanë mbyllur dyert, mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës,qindra studentë e kanë të pamundur të perballojnë jetën studentore. Këtë vit shumë familje do ta kenë të pamundur të çojnë femijët në universitete për shkak të pamundësisë ekonomike. Ndërsa qeveritë në mbarë botën po vazhdojnë mbështetjen ekonomike dhe sociale për bizneset, qytetarët e veçanërisht të rinjtë qeveria e Shqipërisë ofron vetëm video 3D dhe propagandë.” – shkruan Basha në Facebook.

Më tej kryedemokrati shtoi se PD-ja që në fillim të situatës ka bërë propozimet e saj lidhur me krizën por kryeministri Rama ka refuzuar t’i marrë në konsideratë ato duke e lënë vendin në mëshirë të fatit.

“PD që në ditët e para të karantinës, duke vlerësuar situatën dhe pas konsultimeve me ekspertët më të mirë në vend i ofroi qeverisë propozime konkrete për të parandaluar thellimin e krizës ekonomike si dhe strategjinë e daljes nga karantina. Por qeveria Rama refuzoi t’i marrë në konsideratë propozimet tona duke i lënë shqiptarët dhe ekonominë e tyre në mëshirën e fatit. Sepse si në ditët e para të pandemise dhe sot kur situata si shëndetësore dhe ekonomike është tejet e rënduar qeveria Rama mendon vetëm për veten dhe klientët e saj oligarkë.” – shton Basha.

Në fund Basha thotë se prioriteti i PD-së është kthimi i ekonomisë në shinat e zhvillimit, rritja e punësimit, lehtësimi i barrës fiskale, ulja e taksave dhe çlirimi i ekonomisë nga monopolet e oligarkët.

“Partia Demokratike është angazhuar seriozisht me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj për t’i kthyer frymëmarrjen vendit, për ta sjellë ekonominë në shinat e zhvillimit dhe siguruar punësimin e shqiptarëve. Punësimi mbetet prioriteti im kryesor dhe për ta garantuar këtë ne do të marrim vendimet dhe veprimet e nevojshme. Lehtësimi i barrës fiskale, përgjysmimi i lejeve dhe liçencave dhe ulja e taksës së punës janë disa nga masat e para që do marrë qeveria jonë. Ne do të krijojmë kushtet ekonomike dhe sigurinë e nevojshme që investitorë të huaj me potenciale të mëdha punësimi të vijnë në Shqipëri. Çlirimi i ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët do t’i hapë rrugë tregjeve të lira, zhvillimit dhe punësimit të njerëzve. Pavarësisht vështirësive që po kalojmë, këto kohë jam i bindur se së bashku do t’ia dalim të sjellim #ditëmëtëmira për Shqipërinë dhe shqiptarët përmes një qeverie normale që punon për qytetarët dhe jo për një grusht oligarkësh.” – mbyll reagimin Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *