Vendosni fjalën kyçe....

“Spitalet Covid 3 e 4, janë gati, do hapen kur dy spitalet e para të mos kenë më shtretër” – Manastirliu i përgjigjet PD-së


Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur denoncimit të sotëm nga Partia Demokratike. Në një reagim zyrtar, thuhet se strategjia për përballimin e pandemisë Covid-19 nuk ka ndryshuar.

Po kështu ministria thotë se spitalet 3 e 4 janë të pajisur me bazën materiale dhe janë të gatshëm të presin stafet mjekësore e pacientët.

Sipas njoftimit, spitalet 3 e 4 covid do hapen pasi spitalet 1 e 2 covid të mos kenë më shtretër e mundësi për trajtimin e pacientëve.

Paraditen e sotme përfaqësuesi i PD-së, Koduzi, tha se spital Covid 3 nuk ishte i gatshëm për pacientët dhe e gjitha ishte një lojë e kryeministrit Rama. 

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, siguron edhe një herë qytetarët, se asnjë presje nuk ka ndryshuar nga strategjia jonë e përballimit të pandemisë Covid-19.

Siç kemi informuar edhe më herët, Spitalet Covid-3 dhe Covid-4 janë tërësisht të pajisur dhe të gatshëm të presin personelin mjekësor që do të punojë, dhe qytetarët që do të marrin shërbim shëndetësor. Por, siç e parashikon plani ynë – dhe siç e kërkon logjika – Covid-3 dhe më pas Covid-4, do të hapen pasi të jenë ezauruar shtretërit në Covid-1 dhe Covid-2.

Kjo është edhe përgjigja ndaj shqetësimit të ngritur nga Partia Demokratike, se ‘ende në Covid-3 nuk është trajtuar asnjë pacient me Covid’. Pacientët do të trajtohen, kur ky spital të hapet. Ftojmë qytetarët, dhe Partinë Demokratike, që të ndjekin komunikimet e përditshme zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për t’u informuar. Faleminderit.” – thuhet në reagimin e ministrisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *