Tre persona kanë përfunduar në pranga, pasi janë përplasur me punonjësit e Policisë në ambientet e Gjykatës së Shkodrës. Ata janë të tre banorë të lagjes “Skënderbeg”, në Shkodër.
Sipas uniformave blu, personat në fjalë kishin tentuar të futen në gjykatë, për të kërkuar informacion për një seancë gjyqësore.
“Strukturat e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, arrestuan shtetasit E. M. 20 vjeç, P. P., 55 vjeç dhe R. K. 66 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi kanë kundërshtuar punonjësin e policisë së rendit publik, duke hyrë në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për të kërkuar informacion lidhur me caktimin e një seance gjyqësore, pas një padie të bërë nga këto persona në Gjykatë. “– thuhet në njoftimin e policisë.