Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e taksistit, policia arreston dy vëllezër nga Rinasi


Arsil dhe Sajmir Shera

Policia ka arrestuar dy persona lidhur me vrasjen e taksistit Abdulla Budlla, ndodhur në kryqëzimin e rrugës së Rinasit tre ditë më parë.

Ata janë dy vëllezër, Arsil dhe Sajmir Shera, banues në Rinas. Vëllai më i madh, Saimir Shera është një person me precedent të mëparshëm penal, i dënuar më herët.

Policia thotë se ka gjetur edhe makinën e përdorur nga autorët e dyshuar për të kryer krimin.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 3 gushtit në zonën e Fushë Prezës në aksin që lidhet me Aeroportin e Rinasit.
71-vjeçari Abdullah Budlla, baba i 3 djemve dhe 1 vajze u ekzekutua me 7 plumba ndërsa qëndronte pranë taksisë së tij.

Policia bëri me dije se gjatë zhvillimit të operacionit të koduar “Brothers” dhe kontrolleve të befasishme të kryera në disa banesa, u arrestua në flagrancë edhe një 29 vjeçar. Atij iu gjet një armë pa leje.

NJOFTIMI NGA POLICIA

Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”.

Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë.

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 03.08.2020, në rrugën nacionale Fushë Krujë – Vorë, në kryqëzimin e rrugës së Rinasit, ku u vra me armë zjarri 71-vjeçari A. B.

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 vëllezër, të dyshuar si autorë të vrasjes.
Gjatë operacionit u vu në pranga edhe një 29-vjeçar, pasi gjatë kontrollit iu gjetën armë dhe drogë.

Si rezultat i një punë të mirorganizuar dhe të pandërprerë për zbulimin, dokumentimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, falë provave të siguruara, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, u zhvillua operacioni Policor “Brothers”, në kuadër të të cilit u bë i mundur, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht i dy vëllezërve:
S. Sh., 32 vjeç, i dënuar më parë dhe A. Sh., 20 vjeç, banues në Rinas, Krujë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe mjetin që kanë përdorur dy vëllezërit për të kryer krimin.
Nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *