Vendosni fjalën kyçe....

Djegia e fabrikës në Skrapar, Silva Caka: Institucionet të bashkëpunojnë për ringritjen e saj, ishin punësuar qindra gra e vajza


Ish deputetja e LSI-së, Silva Caka ka reaguar për djegien e fabrikës së këpucëve në Skrapar. Ajo e ka cilësuar ngjarjen si një goditje të rëndë për punësimin në zonë.

Në një postim në rrjetet sociale, Caka thotë se fabrika që u dogj një ditë më parë punësonte 250 punonjës që tashmë kanë ngelur pa punë duke goditur edhe më shumë ekonominë dhe papunësinë në zonë.
Ish-deputetja u bën thirrje institucioneve vendore e qendrore, që të bashkëpunojnë për rimëkëmbjen e Fabrikës dhe rikthimin e saj në gjendje pune.

“Dje për shkak të një incidenti në rrjetin elektrik, u dogj e vetmja fabrikë në Skrapar, ajo e këpucëve. Ky investim u realizua në Skrapar 6 vite më parë, falë bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe kjo fabrikë u kthye shumë shpejt në një mundësi reale për zhvillimin e ekonomisë së Skraparit dhe punësimin e qytetarëve, kryesisht të grave dhe vajzave. Fabrika e këpucëve në Skrapar, ka patur një kapacitet prej 250 punonjësish. Në një zonë si Skrapari, ku papunësia është shumë e lartë, shkatërrimi i kësaj Fabrike, është fatalitet i madh. Duke marrë në konsideratë edhe situatën shumë të rëndë të bizneseve për shkak të pandemisë, çështja e papunësisë bëhet akoma më kritike. Prandaj, për të shmangur rritjen e papunësisë dhe varfërisë në Skrapar, por edhe për të ndihmuar gratë dhe vajzat e punësuara në këtë Fabrikë, institucionet vendore e qendrore, duhet të bashkëpunojnë me administratorin e këtij investimi madhor dhe të bëjnë gjithçka të mundshme, për rimëkëmbjen e Fabrikës dhe rikthimin e saj në gjendje pune”, shkruan ish-deputetja.

Ditën e djeshme në Skrapar një fasoneri këpucësh mori flakë për shkak të një shkëndije elektrike, duke rrezikuar jetën e punëtorëve që ndodhin brenda. Për fat të mirë asnjë prej tyre nuk u lëndua, por fabrika pësoi dëme të mëdha materiale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *