50 infermierë të rinj i janë bashkuar stafit mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi” në luftën kundër Covid-19.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka takuar infermierët e rinj. Gjatë këtij takimi ajo ka deklaruar se forcimi i kapaciteve spitalore është në fokus të qeverisë.
“Një pjesë e juaj, pra e armatës së re të spitalit “Shefqet Ndroqi” janë edhe një pjesë e infermierëve të cilët kanë qenë në misionin e parë të dërguar në Itali dhe kanë marrë aty eksperiencën e nevojshme, eksperiencë e cila patjetër do të transmetohet tashmë në këtë spital. Janë 50 infermierë që i shtohen spitalit COVID2.
Qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për të gjithë mbështetjen për personelin mjekësor, për të fuqizuar kapacitetet tona spitalore, qoftë spitaleve aktuale, qoftë spitaleve të cilat projektohen për t’i shërbyer pacientëve me Covid përgjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit”, tha ministrja.
Manastirliu ndër të tjera përsëriti thirrjen për qytetarët që të respektojnë distancën sociale dhe të përdorin maskat, në mënyrë që secili të bëjë pjesën e vet në luftën kundër pandemisë së Covid-19.