Vendosni fjalën kyçe....

Ngarkesa e tij hodhi në erë Bejrutin, biznesmeni rus merret në pyetje nga banesa e tij në Qipro


Policia ka marrë në pyetje pasditen e djeshme një biznesmen rus në shtëpinë e tij në Qipro, në lidhje me shpërthimin që ndodhi ditën e martë në kryeqytetine Libanit, në Bejrut.

Daily Mail shkruan se biznesmenit Igor Grechushkin iu drejtua një “listë pyetjesh” nga hetuesit qipriotë në në emër të autoriteteve libaneze.

Biznesmeni është marrë në pyetje, për shkak se ngarkesa prej 2,750 tonësh nitrat amoniumi, e konfiskuar në vitin 2014 nga një anije e quajtur Rhosus ka qenë në pronësi të tij.

Lënda dyshohet se ishte shkaku i shpërthimit apokaliptik të së martës, i cili sipas të dhënave të deritanishme ka vrarë 137 njerëz dhe plagosur mbi 4000 të tjerë.

Materiali, i cili përdoret për të bërë plehra kimikë për bujqësinë dhe eksploziv, ishte ruajtur për rreth gjashtë vjet në një depo në port pa ndonjë masë të duhur sigurie.

Një zëdhënës i policisë qipriote, Christos Andreou, tha se përderisa eksplozivi ishte kapur nga autoritetet libaneze, ishin ata përgjegjës për ruajtjen e saj dhe biznesmeni Grechushkin nuk është i dyshuar.

Ai tha se oficerët e kishin marrë në pyetje biznesmenin rus në shtëpinë e tij për disa orë për të marrë një deklaratë të hollësishme.

Andreou tha: “Nuk kishte pse ta thërrisnin sepse nuk po përballet me asnjë akuzë, as nuk ka gjasa që ai të pranojë një akuzë të tillë. Kërkesa erdhi në fund të ditës së enjte dhe ne vepruam menjëherë. Ishte një listë pyetjesh që autoritetet në Bejrut dëshiruan që Grechushkin t’i përgjigjet.”

Andreou nuk dha shumë detaje, por ai pranoi se pyetjet në fjalë kërkonin sqarime dhe shpjegime në lidhje me anijen dhe ngarkesën në të.

Ngarkesa e rrezikshme ishte braktisur nga biznesmeni rus në shtator të vitit 2013 para se të transferohej përfundimisht në portin ku mbeti për gjashtë vjet.

Anija që mbante ngarkesën ishte ndaluar gjatë rrugës nga Tbilisi, në vendin e ish-republikës Sovjetike në Gjeorgji.

Kur anija u fut në Beirut një muaj më vonë pasi kishte patur probleme teknike, autoritetet në Liban ndaluan udhëtimin e saj.

Biznesmeni Grechushkin pretendoi se nuk ishte në gjendje të paguante tarifat e portit para se të deklaronte veten të falimentuar dhe të braktiste anijen.

Kapiteni i anijes në atë kohë, Boris Prokoshev dhe tre anëtarë të ekuipazhit u detyruan të qëndrojnë në bord për gati një vit derisa të zgjidhej çështja e borxhit.

Nitrati i amoniumit, u hoq më vonë nga anija dhe u ruajt në një depo në portin e Bejrutit, ku zyrtarë të lartë me porosi u shkruan në gjykatat libaneze të paktën gjashtë herë në mes viteve 2014 dhe 2017 duke kërkuar që materiali të hiqet dhe të hidhet siç duhet. Por kjo nuk ndodhi.

Kryeministri Libanez Hassan Diab tha në një deklaratë të martën se 2,750 tonët me nitrat amoniumi që ishin ruajtur për vite me radhë në një depo të portit të Bejrutit ishin bërë shkak për shpërthimin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *