Një avion i kompanisë Air India Express me 191 persona në bord është përplasur në një aeroport në shtetin jugor të Keralas, duke vrarë të paktën 16 njerëz, thonë zyrtarët.
Avioni, gjatë rrugës nga Dubai, zbriti jashtë pistës dhe u nda në dysh në aeroportin e Calicut pas uljes, tha Autoriteti i Aviacionit Indian.
Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar, me shërbimet e urgjencës në vendngjarje.
Shumica e personave në bordin e avionit Boeing 737 janë evakuuar, dhe të paktën 35 prej tyre u dërguan në spital me lëndime, thanë autoritetet.
Linja ajrore tha se kishte 184 pasagjerë – përfshirë 10 fëmijë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit, nga të cilët dy ishin pilote- në fluturimin IX-1344 kur avioni u rrëzua në Calicut, i njohur gjithashtu si Kozhikode.
Fluturimi ishte organizuar nga qeveria për të riatdhesuar indianët e bllokuar jashtë shtetit gjatë krizës së koronavirusit.
Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil (DGCA) tha që aeroplani ra në një luginë dhe u nda në dysh pasi rrëshqiti jashtë fundit të pistës. Këtë e dëshmojnë edhe fotografitë e publikuara nga mediat indiane.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 19:00 me kohën lokale mes reshjeve të dendura që kanë përfshirë rajonin.
Ka pasur përmbytje dhe rrëshqitje të dheut.
Në maj të vitit 2010, 158 njerëz vdiqën kur një avion i Air India Express u rrëzua pistën e aeroportit Mangalore.