Demonstruesit që dolën në rrugët e kryeqytetit të Libanit pas shpërthimit të frikshëm që ndodhi në fillim të kësaj jave kanë sulmuar Ministrinë e Jashtme dhe ndërtesat e tjera qeveritare, mes përleshjeve të dhunshme me policinë.
Rreth 10,000 njerëz u mblodhën në Sheshin e Dëshmorëve në Bejrutin qendror për të akuzuar qeverinë për neglizhencën që sipas tyre çoi në shpërthimin që u mori jetën më shumë se 150 personave ndërsa lapas mijëra të plagosur e dëme të mëdha materiale.
Protestuesit fillimisht u përpoqën të sulmonin parlamentin, por policia arriti të zmbrapsë sulmin, duke përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe sipas disa raporteve edhe plumba të vërtetë.
Disa godina qeveritare shpërthyen në flakë ndërsa gjatë protestave më shumë se 170 persona u plagosën ndërsa një polic raportohet se humbi jetën.