Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se rihapja e shkollave në shtator është veprim i domosdoshëm shoqëror, ekonomik dhe moral, duke këmbëngulur se ato mund të operojnë në mënyrë të sigurt, pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm nga pandemia.
Komentet e tij erdhën pasi një studim i bërë këtë muaj sugjeroi se Britania rrezikohet nga një valë e dytë e koronavirusit gjatë dimrit, që do të jetë dy herë më e madhe se përhapja fillestare, nëse shkollat hapen pa sistem të përmirësuar të testimit dhe përcjelljes së kontakteve, shkruan Reuters
Shefi i qeverisë britanike tha se rifillimi i punës së shkollave është një prioritet kombëtar. Ai u citua të ketë thënë gjatë një takimi të enjten se shkollat do të jenë objektet e fundit që do të mbyllen gjatë masave të ardhshme.
Shkollat në Angli u mbyllën në mars gjatë izolimit në nivel vendi, përpos për fëmijët e punëtorëve esencialë, ndërsa u rihapën në qershor për një numër të vogël të nxënësve.
Qeveria dëshiron që të gjithë nxënësit të kthehen në shkolla në fillim të shtatorit. “Mbajtja e shkollave tona mbyllur një moment më gjatë sesa që është absolutisht e nevojshme është e patolerueshme në aspektin social, e paqëndrueshme në aspektin ekonomik dhe e pajustifikueshme në aspektin etik”, shkroi kryeministri Johnson në një gazetë britanike.
Ai paralajmëroi se vendi do të përballet me probleme të mëdha, nëse fëmijët mbesin pa shkollim dhe se kostoja ekonomike është duke u rritur për prindërit që s’mund të punojnë nëse shkollat qëndrojnë të mbyllura.