Ka shkuar në shtatë numri i viktimave nga përmbytjet në ishullin grek të Evias ndërsa një person është shpallur i humbur.
Fillimisht u raportua për tre viktima por në orët e fundit numri i tyre është rritur. Ishulli i dytë më i madh në vendin fqinj u godit nga një stuhi e beftë në orët e para të së dielës.
Dy viktima ende të paidentifikuara u njoftuan të dielën pasdite nga zv.ministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias.
Më herët të dielën, zjarrfikësit gjetën kufomat e një gruaje, 38 vjeç dhe burrit të saj, 42 vjeç, jashtë shtëpisë së tyre në fshatin e brendshëm, Amfitea.
Në orët e para të mëngjesit të së dielës një burrë 86-vjeçar dhe gruaja e tij 85 vjeç, si dhe një fëmijë 8 muajsh, u identifikuan se viktimat e para nga përmbytja që përfshiu fshatin Politika, në veri të qytetit Halkida, rreth 100 kilometra larg Athinës.