Gruaja që u gjet e pajetë në banesën e saj sot, ka vdekur nga shkaqe natyrale. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur ekspertimi mjeko-ligjor i bërë në trupin e saj.
Për këtë arsye, policia ka liruar djalin e zonjës Veronika Ramadani, i cili mbahej i shoqëruar prej orësh në komisariat.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, ku në rrugën “Gjon Kastrioti”, në Laprakë, është gjetur pa shenja jete, në banesë, shtetasja V. R., 67 vjeçe, ju bëjmë me dije se:
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe nga ekspertimi mjeko-ligjor ka rezultuar se në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.”-thuhet në njoftimin e policisë.
Ramadani dhe djali i saj kishin pasur konflikte të vazhdueshme mes tyre, dhe rasti i tyre kishte shkuar mbi 4 herë në polici. Kjo ishte dhe arsyeja pse i biri Julian Zisi mbahej në komisariat.