Besnik Mustafaj, një ndër pjesëtarët e Komisionit të Vlerësimit të ngritur nga Partia Demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet ka folur lidhur me këtë proces në një intervistë për Neës 24.
Mustafaj tha se nuk përjashtohet që Berisha të jetë përsëri pjesë e kandidatëve për deputet pasi sipas tij ka dhënë një kontribut të çmuar kur ishte në opozitë.
Sipas Mustafajt, në PD mund të rikthehen edhe disa figura të cilët janë zëmëruar.
“Unë jam një nga kritikët e Sali Berishës që më 2007. Por, në kohën që ai është në opozitë, Berisha ka dhënë kontribut të çmuar në opozitarizëm. Berisha denoncoi drogën, denoncoi një sërë skandalesh. Në këtë kuptim, Sali Berisha ka kontribut në Partinë Demokratike. Në cilësinë e Berishës si deputet, ai mund të themi ka kontribut. Unë jam ndër të parët që kam kthyer disa figura sërish në PD. Unë besoj se të zemëruarit e ikur edhe mund të kthehen.
Jozefina Topalli për shembull ka pasur kritika për PD, por është e lidhur me Partinë Demokratike. Ajo mund të jetë propozuar në Shkodër. Kur bashkëvepron eksperienca me të renë, besoj se bëhet diçka e mirë. Rama ka bashkëpunëtor figura që janë të reja, por janë një lloj klani le ta themi. Shoqëria ka eksperiencën për të gjykuar drejt programin tonë dhe kandidaturat”- deklaroi Mustafaj.