Një 49-vjeçar në Krujë po procedohet penalisht nga policia, pasi akuzohet për ndotje të ajrit.
Personi në fjalë i cili banon në fshatin Borizanë, është kapur në Krastë të Krujës duke djegur një furrë për prodhimin e gëlqeres e si rrjedhorë duke ndotur dhe ajrin.
“Vijojnë operacionet kundër krimeve mjedisore.
Procedohet penalisht një 49-vjeçar, për veprën penale ‘Ndotja e ajrit’.
Në vijim të kontrolleve për parandalimin e krimeve mjedisore, specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë proceduan penalisht shtetasin:
L. P., 49 vjeç, banues në fshatin Burizanë, Krujë, pasi në vendin e quajtur ‘Krastë’, Krujë, u konstatua duke djegur një furrë për prodhimin e gëlqeres, duke shkaktuar ndotje të ajrit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Krujë, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Në Krujë numërohen 166 furra për prodhimin e gëlqeres, duke u bërë rrethi që mban peshën më të madhe në vend për prodhimin e kësaj lënde të parë për ndërtim. Të gjitha këto furra përdorin drurin e pyllit si lëndë të parë për shuarjen e gëlqeres.