Kryetarja e opozitës në Bjellorusi, Svetlana Tikhanovskaya është larguar nga vendi i saj dhe është “e sigurt” në Lituani.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm në Lituani, Linas Linkevicius, shkruan BBC.
Largimi i zonjës Tikhanovskaya nga Bjellorusia vjen pas ditës së dytë të protestave, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të së dielës që u fituan nga presidenti aktual, Alexander Lukashenko.
Ekipi i fushatës së Tikhanovskaya tha se ajo po i shmangte protestat për shkak të “provokimeve të mundshme”.
Rezultatet e zgjedhjeve i dhanë presidentit Alexander Lukashenko mandatin e gjashtë me 80% të votave, por zonja Tikhanovskaya nuk e pranoi këtë rezultat. Ajo beson se zgjedhjet janë manipuluar, për shkak edhe të mungesës së vëzhguesve.
Lukashenko, i cili është në pushtet që nga viti 1994, i ka përshkruar mbështetësit e opozitës si “dele” të kontrolluara nga jashtë.
Të hënën në mbrëmje pati përsëri përplasje mes policisë dhe protestuesve në kryeqytetin e Bjellorusisë, në Minsk, ku efektivët gjuajtën me plumba gome për të ndalur protestat, dhe zyrtarët thonë se një demonstrues vdiq kur një eksploziv i shpërtheu në duar.
Largimi i Tikhanovskaya-s
Ministri i jashtëm në Lituani, Linkevicius bëri të ditur vendodhjen e zonjës Tikhanovskaya të martën në mëngjes, pas thashethemeve se ajo ishte zhdukur.
Kishte pasur shqetësime për të të hënën por fushata e saj më vonë tha që ajo ishte “e sigurt”, por pa bërë të ditur se ku.
Ministri Linkevicius tha se ajo ishte arrestuar për shtatë orë në Bjellorusi, por nuk tha pse ose nga kush.
Svetlana Tikhanovskaya nuk është politikane e mirëfilltë e deri pak ditë më parë as që nuk i shkonte në mendje të sfidonte presidentin.
37-vjeçarja është bashkëshortja e Sergej Tikhanovkij, kandidati që u arrestua me akuzën se po organizonte një revoltë falë mbështetjes të disa mercenarëve rus. Zonja Tikhanovskaya ishte një ish-mësuese e cila kishte lënë punën, për t’u kujdesur për fëmijët e saj me kohë të plotë, derisa ajo u fut në qendër të vëmendjes politike, kur vendosi të kandidojë në vend të burrit të saj.
Presidenti Lukashenko e ka zuajtur zonjën Tikhanovskaya si një “vajzë të vogël”, të manipuluar nga të huajt.
Pasi u zhvillua votimi, fushata e saj tha se rezultatet të cilat i dhanë asaj vetëm 9,9% të votave, “nuk korrespondojnë me realitetin”.
Zonja Tikhanovskaya u tha gazetarëve se në të vërtetë ajo i kishte fituar zgjedhjet dhe u bëri thirrje autoriteteve të hiqnin dorë nga pushteti në mënyrë paqësore. Protestat filluan sapo u mbyllën votimet dhe vazhduan për një natë të dytë të hënën.
Lukashenko nga ana tjetër tha që ai do t’i përgjigjet fuqishëm protestave dhe nuk do të lejojë që vendi të copëtohet.
Svetlana Tikhanovskaya u zhduk pasi paraqiti një ankesë zyrtare në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve. “Unë kam marrë vendimin tim”-citohej ajo, por askush nuk mund të konfirmonte vendndodhjen e saj për shumë orë.
Tani ministrja e jashtme e Lituanisë fqinje thotë se ajo është atje – dhe e sigurt. Se si ndodhi kjo nuk është ende e qartë.
Të hënën, shërbimi i sigurisë i KGB-së në Bjellorusi pretendoi se kishte shkatërruar një komplot për të vrarë kandidaten e opozitës – dhe ta bënte atë një “qengj sakrifikimi” për protestuesit. Në një konferencë shtypi në Minsk, ajo dukej nervoze, pak e pasigurt.
Në të njëjtën ditë ajo i tha BBC-së se ishte e frikësuar. Fakti që Svetlana Tikhanovskaya ka ikur, nuk do të ndikojë në protestat masive që kanë përfshirë Bjellorusinë për dy netë rresht.