Presidenti rus njoftoi të martën në mëngjes se Rusia ka regjistruar vaksinën e parë në botë kundër koronavirusit.
Ai tha se vaksina është efektive në formimin e imunitetit ndaj patogjenit vdekjeprurës i cili është përhapur globalisht.
“Me sa di unë, një vaksinë kundër infeksionit koronavirus është regjistruar sot në mëngjes në Rusi për herë të parë në botë,” u tha Putin anëtarëve të qeverisë.
“Falënderoj të gjithë ata që kanë punuar për këtë vaksinë, është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë botën.” – shtoi ai.
Putini këmbënguli që vaksinimi në Rusi duhet të kryhet vetëm në baza vullnetare dhe askush nuk do detyrohet të pranojë imunizimin. Ai gjithashtu zbuloi se njëra nga vajzat e tij tashmë është vaksinuar.
Putin i kërkoi Ministrit të Shëndetësisë të sigurojë informacion më të hollësishëm në lidhje me planet për imunizimin e popullsisë.