Vendosni fjalën kyçe....

PD: Turizmi të pikë të hallit, qeveria i ka braktisur


Partia Demokratike nëpërmjet një postimi të ekspertit për ekonominë Dorian Teliti, ka akuzuar qeverinë se ka braktisur sektorin e turizmit i cili është në vështirësi për shkak të pandemisë.

Teliti përmes shifrave tregon gjendjen e turizmit ku thotë se po punon me 50% të kapacitetit dhe kjo në fundjavë.

Sipas Teliti, turizmi nuk përfitoi as nga paketat e ndihmës pasi gjatë asaj kohe qëndronte mbyllur.

Postimi i plotë:

Turizmi në pikë të hallit, strukturat hoteliere të braktisura dhe pa mbështetje në ditët e tyre me të vështira. Në kulmin e sezonit, fluksi i turistëve arrin në rastin më të mirë deri në 50% të kapacitetit të saj, dhe kjo vetëm në fundjavë.

Sektori i turizmit përfaqeson 1/5 e ekonomisë shqiptare, ku e kanë lidhur fatin e tyre mbi 300mijë shqiptare, sipermarrës, të punësuar drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në prodhim, furnizim, shërbime, transport, etj.

Pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, goditjen më të madhe ky sektor e ka marrë gjate këtyre muajve të pandemisë. Ndihma shtetërore praktikisht ishte dhe mbetet edhe sot që flasim inekzistente. Në 5 muaj qeveria shqiptare ka dhënë vetëm 3.6 milionë euro mbështetje nga dy paketat e saj qesharake, asnjë qindarke më shumë, ndërkohë që vetëm PPP e Inceneratorit të Tiranës ka marre 3.9 milionë euro gjatë kësaj periudhë.

Garancia sovrane për pagat e punonjësve nuk dha rezultat, pasi mund të merrej vetëm për periudhën mars-maj 2020, periudhë gjatë së cilës këto struktura ishin tërësisht të mbyllura dhe pa aktivitet.

Vendet e fqinje, ndryshe nga Shqipëria, përveç politika të tjera mbështetëse, kane ndërmarrë paketa stimuluese konkrete për turizmin.

Maqedonia e Veriut: bonus 150 euro për çdo punonjës te vendit me page deri ne 250 euro, janë 150 euro bonus për ti përdorur ne strukturat hoteliere dhe restorantet. Gjithashtu bonus shtese prej 900 euro për çdo punonjës te sektorit te turizmit dhe transportit.

Mali i Zi: ndërmori paketën e tretë ekonomike, paketë prej 1.2 miliardë euro, ku gjysma e saj i dedikohet sektorit të turizmit.

Italia: 300 deri në 500 euro bonus për person për konsum në strukturat hoteliere dhe restorantet.

Mjaftojnë këto shembuj për të treguar qartë çdo të thotë të ndihmosh dhe stimulosh një sektor.

Qeveria shqiptare vazhdon të mos dëgjojë thirrjet e shumta të biznesit dhe braktisja që i bën ekonomisë, bujqësisë, sektorit prodhues, turizmit, etj, po na kushton shumë rëndë.

Nuk nevojitet thjesht një rotacion politik, por nevojitet ndryshim rrënjësor, një filozofi e re qeverisjeje, ku në qendër të vëmendjes nuk janë miqtë dhe shokët oligarkë, por janë shqiptaret e thjeshtë dhe biznesi të zhvillohet në një klime pozitive, me taksa të ulta, procedura të thjeshtuara, konkurrencë te lire e të ndershme, subvencione dhe paketa stimuluese për të mbështetur sektorët e saj.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar e kanë të qartë që sfidat janë të mëdha dhe me ekipin më të mire të eksperteve vendas dhe të huaj po punohet intensivisht për t’i dhënë shqiptarëve alternativën që do të rigjallërojë ekonominë dhe turizmin shqiptar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *