Situata e menaxhimit të të shtruarve në spitalin Shefqet Ndroqi paraqitet kaotike, kjo pasi qytetarët duhet të sigurojnë për të sëmurët, ushqimi, medikamentet madje edhe aparatet për oksigjenimin e tyre.
Këtë gjendje e rrëfen për TVT një qytetar i cili ka të shtruar të afërmin e vet në këtë spital dhe tregon para kamerave se ka blerë aparat oksigjeni.
“Duhet marrë veç aparatura. Filtron ajrin, bën 1500 euro. Maskën e kam blerë 200 euro”-shprehet një qytetar
“A keni garanci që aparati do të përdoret vetëm për prindin tuaj?”-e pyet gazetari.
“Nuk kemi fare besim. I çojmë ushqime dhe nuk e ushqejnë. Nuk merr vitaminat e duhura, i ka rënë imuniteti.
Paguaj çdo infermiere nga 50 mijë lekë. Prindi më thotë më merr të vdes në shtëpi“-përgjigjet ajo.
Një tjetër qytetare rrëfen se ka disa ditë që mundohet të marrë informacion për dy prindërit. Ajo ka udhëtuar nga Franca për t’iu gjendur pranë familjarit të saj.
“Babain tim e mora qëparë me Viber. Ju e patë në çfarë gjendje ishte. Nuk shkon dot në tualet, nuk ka një infermiere që merret me të. Unë nuk e solla në këtë gjendje. Ata i kanë lënë aty dhe nuk merret njeri. I shohin që janë 69 vjeç dhe nuk u dhimbset. Ka temperaturë, nuk i japin ilaç. Të më thonë t’ia blej unë ilaçet të gjitha”-thotë ajo.