Vendosni fjalën kyçe....

Koronavirusi i merr jetën mësuesit në Rrëshen, apeli i Shahinit: Respektoni protokollet shëndetësore


Ministrja e Arsimit Besa Shahini, ka konfirmuar me anë të një statusi në “Facebook” ndarjen nga jeta të një mësuesi në Mirditë, për shkak të koronavirusit.

Mësuesi Gjin Kola, humbi betejën me COVID, pas 10 ditësh që ishte shtruar në spital.

Shahini thotë ky është një lajm i hidhur për të gjithë stafin dhe nxënësit që ai ka edukuar ndër vite.
Mes rreshtash, ministrja u bën thirrje qytetarëve për zbatimin e protokolleve shëndetësore.

“Mora lajmin e hidhur që një nga mësuesit tanë të nderuar në qytetin e Rrëshenit ka humbur sot betejën me COVID-19.
Shpreh dhimbjen dhe respektin për këtë mësues të vyer e me përvojë dhjetëra vjeçare, si për stafin e shkollave ku ai ka dhënë mësim, ashtu dhe për nxënësit që ai ka edukuar ndër vite.
Ndaj këtë dhimbje me familjarët e mësuesit Kola, me nxënësit dhe kolegët e tij.
Dua të theksoj edhe një herë nevojën që gjithsecili prej nesh të zbatojë sa më me rigorozitet të gjitha masat e nevojshme për tu mbrojtur nga ky virus i pabesë dhe i padukshëm.
Çdo jetë e juaja dhe e familjarëve tuaj është e shenjtë dhe duhet mbrojtur nga të gjithë ne si shoqëri, prandaj të respektojmë me rigorozitet të gjitha protokollet shëndetësore.
Uroj SHËRIM TË SHPEJTË edhe për arsimtarët e tjerë që janë prekur nga ky virus.”- shkruan ministrja Shahini.

Pasditen e sotme, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se në 24 orët e fundit kishin ndërruar jetë pesë qytetarë të prekur nga koronavirusi. Mes tyre edhe mësuesi në fjalë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *