Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka pritur sot në takim ekipin e mjekëve italianë të cilët kanë përfunduar misionin e tyre në Shqipëri dhe sot do rikthehen në Itali.
“Vetëm nëpërmjet solidaritetit dhe veprimeve të unifikuara do të mund t’a fitojmë luftën me virusin e rrezikshëm. Eksperienca juaj në spitalet COVID dhe këshillat konkrete për organizimin spitalor janë të vyera dhe ndihmojnë strategjinë tonë të përgjigjies së sistemit shëndetësor ndaj situatës, me planin e vjeshtë-dimrit që ne kemi përgatitur për të përballuar një rritje të mundshme të numrit të rasteve. Unë jam e bindur se ky mision nuk do të jetë i vetmi por bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe në misione të tjera”, tha Manastirliu.
Mjekët italianë u shprehën të gatshëm për vijimin e bashkëpunimit.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Fabrizio Buçi. Ai tha gjatë takimit se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.
Italia i erdhi në ndihmë Shqipërisë, me një tast forcë të përbërë nga shtatë persona për luftën ndaj koronavirusit.
Mjekët mbërritën në aeroportin ‘Nënë Tereza’, me një avion të ‘Guarda di Finanza’ më 30 korrik dhe u pritën nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, si dhe nga ambasadori Italian në vendin tonë, Fabrizio Buçi.
Ata kanë zhvilluar një veprimtari konsulence me homologët shqiptarë në lidhje me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid.
Grupi përbëhej nga një mjek urgjence, një anestezist dhe nga një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, nga një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes, e cila është nga Shqipëria.