Është ndarë nga jeta Komandanti i Qendrës së Bashkuar Operacionale, Kolonel Neshet Shena, për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Lidhur me vdekjen e tij, kanë reaguar presidenti i vendit Ilir Meta, si dhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
Kreu i shtetit shkruan se ky është një lajm i trishtë ndërsa shton se kolonel Shena do të mbetet shembull frymëzues i ushtarakut profesionist dhe drejtuesit model në radhët e Forcave tona të Armatosura.
“I trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Komandantit të Qendrës së Bashkuar Operacionale, Kolonel Neshet Shena.
Me një karrierë të gjatë, të spikatur e të vlerësuar, Kolonel Shena do të mbetet shembull frymëzues i ushtarakut profesionist dhe drejtuesit model në radhët e Forcave tona të Armatosura, njeri me vlera dhe integritet të lartë qytetar.
Ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Rita, fëmijëve Kreshnik dhe Nerid, miqve, kolegëve dhe komunitetit të ushtarakëve për këtë humbje të madhe.
Lamtumirë Kolonel! U prehsh në paqe!“- shkruan Meta.
Ministrja Xhaçka gjithashtu shpreh ngushëllimet e saj për familjen e kolonelit, ndërsa e konsideron një nga oficerët më të përkushtuar në FA. Ajo kujton se Neshet Shena ka pasur 35 vite karrierë në Forcat e Armatosura.
“Pas një beteje të vështirë me një sëmundje të rëndë, kolonel Neshet Shena, komandanti i Qendrës së Bashkuar Operacionale, u nda nga jeta duke lënë në hidhërim familjen dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të, në 35 vite të karrierës në Forcat e Armatosura. Mirënjohje pa kufi për kontributin njerëzor e profesional të një prej oficerëve më të përkushtuar në FA. Ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes e dy djemve.
U prehsh në paqe, kolonel Shena!”– shkruan Xhaçka.