20 vende nga Amerika Latine, Lindja e Mesme dhe Azia kanë porositur doza të vaksinës kundër koronavirusit të zbuluar në Rusi, që u regjistrua të martën, një lajm që u pohua edhe nga presidenti rus, Putin.
Në një konferencë kushtuar njoftimit të regjistrimit të vaksinës, Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Investimeve Direkte Ruse (RDIF) shpjegoi se kishte marrë porosi për një miliard doza.
“Së bashku me partnerët tanë të huaj, ne jemi të gatshëm të prodhojmë më shumë se 500 milionë doza të vaksinës në vit,” shpjegoi Kirill Dmitriev.
Sipas tij, RDIF po punon gjithashtu në një program humanitar ndihme për vendet në zhvillim, me qëllim që vaksina Covid-19 t’u vihet në dispozicion qytetarëve në shtetet që nuk kanë mundësi ta sigurojnë vetë.
Të martën, presidenti rus Putin njoftoi se vendi kishte regjistruar vaksinën e parë në botë Covid-19. Me emrin ‘Sputnik V’, vaksina do të fillojë së shpejti të prodhohet masivisht dhe do të jetë në dispozicion të publikut të gjerë nga janari 2021.