Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, mund të marrë një vaksinë të prodhuar nga Rusia për vitin e ardhshëm.
Kështu ka thënë zëdhënësi i tij, raporton RT.
Kujtojmë se Duterte pak ditë më parë shprehu interes për ta provuar vetë vaksinën ruse.
Zëdhënësi i Duterte, Harry Roque, u tha gazetarëve se presidenti do të injektohet me vaksinën ruse deri më 1 maj të vitit 2021, nëse trajtimi miratohet në vend.
Roque tha se një panel ekspertësh do të rishikojë rezultatet e provave klinike të fazës së parë dhe të dytë muajin e ardhshëm, duke përsëritur që Manila mezi pret të bashkëpunojë me Rusinë për të gjetur një kurë për Covid-19.
Siç kemi raportuar më parë, Filipinet janë të gatshëm të punojnë me Rusinë në provat klinike, furnizimin dhe prodhimin e vaksinave.
Udhëheqësi rus Vladimir Putin zbuloi në fillim të kësaj jave se Moska është bërë vendi i parë në botë që ka regjistruar një vaksinë kundër Covid-19, duke shtuar se madje njëra nga dy vajzat e tij tashmë është vaksinuar.