Bashkimi Evropian ka arritur marrëveshje me kompaninë AstraZeneca për blerjen e të paktën 300 milionë dozave të vaksinës potenciale kundër COVID-19.
Komisioni Evropian, i cili po negocion në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së, tha se marrëveshja përfshin mundësinë për të blerë edhe 100 milionë doza shtesë nëse vaksina e kësaj kompanie rezulton e sigurt dhe efektive.
Marrëveshja e BE-së pason një marrëveshje fillestare me AstraZeneca të arritur në qershor nga Aleanca Gjithëpërfshirëse e Vaksinave e Evropës (IVA), një grup i formuar nga Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda për të siguruar doza të vaksinave për të gjitha vendet anëtare.
Komisioni nuk zbuloi kushtet e marrëveshjes së re, raporton Reuters.
“Kjo marrëveshje e re do t’u japë të gjitha vendeve anëtare të BE-së mundësinë për të pasur qasje në furnizimin me vaksinë në mënyrë të barabartë”, tha AstraZeneca në një deklaratë.
Ekzekutivi i BE-së tha se marrëveshjet e saj kanë për qëllim financimin e një pjese të kostove për zhvillimin e vaksinave.
BE tha se gjatë dy javëve të fundit ishte në bisedime të avancuara me Johnson & Johnson dhe Sanofi për vaksinat e tyre në zhvillim.
Më shume se 100 vaksina të mundshme janë duke u zhvilluar në botë dhe të paktën 4 nga to janë në fazën finale të testimit në njerëz.
Faza 3 e testimit përfshin miliona njerëz dhe procesi zgjatë për disa muaj, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.