Sulmuesi nga Kosova, Vedat Muriqi mund të quhet një futbollist i Lazios, edhe pse mungon ende zyrtarizimi.
Ka qenë gazetari turk Ahmet Selim Kul, i cili në një emision sportiv në A Spor ka konfirmuar se Lazio ka ngritur edhe më shumë ofertën për kosovarin.
“Lazio ka ngritur ofertën në 20 milionë euro përfshirë bonuset. Transferimi ka arritur në fazën përfundimtare dhe së shpejti pritet zyrtarizimi”, deklaroi Ahmet Selim Kul.
Nga ana tjetër mediat turke kanë zbuluar edhe detajet financiare të këtij transferimi. Nga shuma e paguar nga Lazio, Fenerbahce nuk do t’i fitojë të gjitha pasi 15% e shumës do t’i shkojnë ish-skuadrës së Muriqit, Rizespor.
26-vjeçari pritet të nënshkruajë një kontratë pesë vjeçare me Lazion sipas Fotomac, ku do të ketë një pagë prej dy milionë eurove neto në stinor. Reprezentuesi kosovar me Lazion do të paraqitet edhe në grupet e Ligës së Kampionëve, teksa shihet si njëri nga transferimet më të mira deri më tani në Serie A.
Për Muriqin interesim të madh pati edhe nga Liga Premier, ku kërkohej nga skuadrat si Tottenham Hotspur, West Bromwich Albion, Leicester City e Burnley. Kujtojmë që prizrenasi në vitin e tij të parë me Fenerbahcen shënoi 17 gola dhe bëri shtatë asistime në 36 ndeshje zyrtare.