Ministri i Brendshëm ka reaguar lidhur me radhët e gjata në kufirin mes Greqisë e Shqipërisë në pikën kufitare të Kakavijës.
Sipas Lleshajt, shkak për këtë janë bërë procedurat e reja të testimit për Covid-19 nga ana e palës greke.
Ai shton se në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme, po bëhen përpjekje për lehtësimin e përshpejtimin e procedurave të testimit.
Lleshaj gjithashtu u bën thirrje qytetarëve që të informohen për gjendjen në pikat kufitare me Greqinë para se të ndërmarrin udhëtimin.
“Procedurat e reja të testimit për Covid-19 në kufirin shqiptaro-grek 🇦🇱🇬🇷 kanë krijuar radhë të gjata bashkë me problemet e pashmangshme shoqëruese.
Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht për të menaxhuar situatën e vështirë të krijuar.
Në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme po bëhen përpjekje për të kërkuar para autoriteteve greke gjetjen e mundësive për përshpejtimin e procedurave të testimit dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi.
Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetareve që të informohen për gjendjen në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë përpara se të ndërmarrin udhëtim drejt tyre, me qëllim që të shmangen sa të jetë e mundur pritjet e gjata në kushtet e temperaturave të larta.” – shkruan Lleshaj.