Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka publikuar edhe një herë tjetër një video nga brenda spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” ose COVID2, ku ka një fluks në rritje të pacientëve të prekur.
“Mos rreziko jetën tënde dhe të njerëzve më të dashur! Të gjithë bashkë, t’i japim një dorë mjekëve dhe infermierëve 🤜”, shkruan Manastirliu ndërsa shpërndan videon ku jepen fragmente nga puna e mjekëve dhe ku vetë pacientët dëshmojnë mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
“Jam shumë shumë më mirë se ditën e parë që kam ardhur, dhe i falenderoj të gjithë se më kanë ndenjur të gjithë mbi krye” – thotë një paciente.
Por shumë prej pacientëve as nuk arrijnë të japin përgjigje kur mjekët i pyesin ‘si jeni’.
“Ia ke hedhur, e di 4 ditë ke ardhur e ti sot po më shef mua”, i njërës prej tyre Shefja e Shërbimit të Pneumologjisë, prof. Silvana Bala.
Doktoreshë Bala u bën thirrje qytetarëve: “Asnjëherë mos mendoni që kjo sëmundje është e lehtë. Është shumë e rëndë. Këta persona që shihni këtu, kanë qenë të shëndoshë, por në një moment, janë në vështirësi me jetën”.
Ministrja Manastirliu u kërkon qytetarëve të respektojnë rregullat për të frenuar përhapjen e Covid-19, nga ruajtja e distancimit fizik tek vendosja e maskës dhe kujdesipër higjienën.